Ngjarjet e rënda, veçanërisht ato me pasoja fatale siç është humbja e jetës, me siguri trondisin çdokënd që i dëgjon dhe përvëlojnë shpirtrat e të afërmve të personave të përfshirë në to.

Shpesh, një pjesë e mirë e këtyre ngjarjeve mbeten gjatë të pazbardhura, disa të tjerave nuk u jepet vendimi i duhur, disa të tjera nuk pranohen nga palët përkatëse, madje ka edhe raste kur e vërteta ngel e pazbuluar në plotësinë e saj.

Sot në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, u trajtua rrëfimi i një nëne e cila ka një plagë të madhe në shpirt. Ajo me lot në sy pretendon pafajësinë e djalit të saj, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për një krim të ndodhur shumë vite më parë dhe sot vuan dënimin në burgun e Patosit.

Mirela Milori: Sa vjeç është Eduardi?

Kushulla Banaj: Është 42 vjeç.

Mirela Milori: Ka 8 vite që ndodhet në burg për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1997, çfarë ndodhi?

Kushulla Banaj: Djalin unë e kam pasur në emigrim që në ’96 në Greqi dhe është kthyer në vitin 2005. Vendosi të mos shkonte më jashtë shtetit dhe filloi shkollën për juridik që i ngeli përgjysmë. I kam çuar librat djalit në burg.

Mirela Milori: Sa kohë ke pa e takuar?

Kushulla Banaj: Po bën 6 muaj që nuk e kemi takuar, por kemi folur nga telefoni i burgut.

Mirela Milori: Për çfarë akuzohet Eduardi?

Kushulla Banaj: Në vitin 1997 ka ndodhur një vrasje në Patos. U tentua të grabitej një banesë.

Mirela Milori: Në Patos në vitin 1997 ndodhi një grabitje e cila shkoi përtej asaj që ishte planifikuar thjesht një grabitje dhe si pasojë mbetet e vdekur zonja e shtëpisë dhe fëmija i saj. Në këtë grabitje janë ndodhur 4 persona dhe mes të akuzuarve për ngjarjen është edhe Eduardi. Kush e ka akuzuar Eduardin që ka qenë pjesmarrës në këtë gjendje të rëndë?

Kushulla Banaj: Një tjetër që ka qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje.

Mirela Milori: Ju thoni që nuk është Eduardi?

Kushulla Banaj: Po, kemi prova dhe dëshmi që është person tjetër. Njëri nga ata që ka qenë në këtë ngjarje ka dëshmuar që është dikush tjetër dhe jo Eduardi jonë. Është një Eduard me mbiemër tjetër. Ai e tregon me detaje të gjithë ngjarjen që ka ndodhur. Ai Eduardi tjetër i ka pasur armët që ia ka dhënë edhe këtij tjetrit, të pandehurit.

Mirela Milori: Po tjetër provë që dëshmon se Eduardi nuk ka qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje, çfarë keni?

Kushulla Banaj: Në këtë kohë ai ka qenë në Greqi.

Mirela Milori: Si e vërtetoni ju këtë gjë?

Kushulla Banaj: Pronari grek e vërteton që Eduardi atë periudhë kohe ka qenë në Greqi. Kam prova nga pronari grek me dy shqiptarë që ka qenë në mbledhjen e ullinjve dhe e ka me datë. Në datën që ka ndodhur ngjarja, pronari dërgon një dokument ku thotë se Eduardi ka qenë në Greqi. Një provë tjetër e rëndësishme është që e kemi marrë pak me vonesë, ka qenë i shtruar në spital në Greqi dhe Gjykata e Fierit nuk mi pranoi provat fillimisht. /tvklan.al