Nëna e dëshpëruar për dënimin e djalit me burgim të përjetshëm, ka rrëfyer tek emisioni “Historia ime” në Tv Klan kalvarin e gjatë e vuajtjeve dhe përpjekjeve që ka bërë për të vërtetuar pafajësinë e djalit të saj. Edhe pse ka prova të forta në dorë, kudo që ka shkuar i janë mbyllur të gjitha dyert. Kushulla Banaj ka treguar se e dëshpëruar dhe shpresëthyer, ka tentuar të takojë Presidentin, por ka përfunduar në komisariat.
Mirela Milori: A ka shpresë Eduardi se do fitojë lirinë?
Kushulla Banaj: Normal që ai ka shpresë. Unë kam shpresë dhe tek ju prandaj erdha, si dihet kur gjykatat mund të bëjnë diçka. Po i shkatërrohet jeta djalit. Një ditë e dëgjova që do dalin VIP-at nga burgu, po ata të pafajshmit dhe hallexhinjtë të qëndrojnë në burg? Unë çfarë të bëj, ku ta gjej të drejtën që s’më është hapur asnjë derë? Kam dashur të takoj Presidentin dhe më kanë çuar më komisariat dhe nuk më lanë ta takoja.
Mirela Milori: Mendon gjëra të bukura kur Eduardi të dalë të krijojë familje?
Kushulla Banaj: Mendoj të keqen nëna, mendoj sa nuk e ke idenë ti. Po punoj dhe po luftoj vetëm për të që kur të dalë t’i gjejë të gjitha në rregull.
Mirela Milori: Ti e di që nuk është bërë ende Gjykata e Lartë?
Kushulla Banaj: E di se unë tek lajmet e mbaj televizorin.
Mirela Milori: Mendon se do zgjasë kjo histori, derisa të krijohet Gjykata e Lartë, derisa të merren dosjet në shqyrtim?
Kushulla Banaj: Ata thonë deri në Prill, në Prill e shtyjnë më tutje, do shkojë djali im më shumë se 10 vjet. Unë do kem vdekur atëherë, ku do ta gjej djalin tim. /tvklan.al