Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Pas kryetarit të Forumit Rinor Eurosocialist Ilir Meta, do të jetë Kryeministri Pandeli Majko që do të shkelë nesër për herë të parë pas Kongresit në zyrën e Kryesocialistit Fatos Nano. Sipas burimeve nga selia rozë është vetë ish-sekretari i përgjithshëm socialist dhe Kryeminister aktual Majko i cili ka kërkuar armëpushim me Fatos Nanon.

Pritet që nesër rreth orës 09:00 paradite dy bashkëpuntorët e vjetër Nano dhe Majko t’i shtrëngojnë duart njeri-tjetrit, pas një periudhe marrdhëniesh të ftohta dhe akuzash të ndërsjellta. Duket se frika nga një votbesim kundër i KPD, e më pas i deputetëve socialist në parlament ndaj qeverisë aktuale, e kanë nxitur Majkon të kërkojë takim me kryetarin Nano.  

Pas takimit me Majkon, Nano do të takojë 38 kryesocialistët e rretheve të cilët janë anëtarë te KPD i cili do të mblidhet të martën. Në këtë mbledhje do vendoset gjithçka mbi fatin e Kryeministrit Majko dhe do të zgjidhen sekretarët dhe kryesia e re socialiste./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame