Ramiz Tafilaj, një shqiptar që jetonte në Teksas të SHBA-së arriti që në vitin 1990 të merrte një vizë për të udhëtuar në Shqipërinë komuniste. Ai mbërriti në Tiranë në vitin 1990 duke pasur me vete një kamera amatore me të cilën për 2-3 vite arriti të filmonte pamje të rralla të Shqipërisë së viteve ’90.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ramiz Tafilaj ka treguar se Shqipëria e viteve ’90 nuk ishte ashtu siç shfaqej përmes programeve televizive të drejtuara nga regjimit komunist.

Blendi Fevziu: Si u gjende në Shqipëri në vitin 1990?

Ramiz Tafilaj: Vështirë ishte Shqipëria e vitit 1990, trysnia komuniste e kishte tendosur Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Ju jetonit në Teksas në atë kohë?

Ramiz Tafilaj: Atëherë jetoja në Teksas për shumë vite. Në vitin 1987 me një material inkriminues që e mora nga Kosova për të ja treguar Departamentit të Shtetit, pasi e panë atë material më thanë që “nuk është problem Kosova, por Shqipëria duhet të shkosh të merresh me Shqipërinë që me pasë mundësi me e ndryshu”. Nuk më erdhi mirë sepse unë u ankoja për Jugosllavinë, ata më flisnin për Shqipërinë. Erdhëm në Shqipëri dhe e pamë se më të vërtetë paska qenë ashtu. E bëra një kërkesë dhe mora vizën në ambasadën shqiptare në Austri dhe përmes Budapestit erdhëm. Shqipëria e vitit 1990 ishte e vështirë. Nuk kishte ushqime, gjërat më elementare, ne ishim të kujdesshëm, nuk ju thonin se e kishim gjetur Shqipërinë kështu kur dilnim jashtë se ende kishim një lloj dashurie ndaj Enverit, regjimit. U befasova se i shikoja programet e regjimit, mendoja se këtu ishte një jetë e lumtur, pashë se asgjë nuk qëndronte dhe njerëzit ishin shumë të pakënaqur.


/tvklan.al