Ndryshimet klimatike kanë dyfishuar mundësinë e përmbytjeve në përmasa katastrofike siç ishin ato që goditën Europën Qendrore, ku 24 persona humbën jetën. Raporti i fundit nga World Weather Attribution, një grup shkencëtarësh që studion efektet e ndryshimeve klimatike në ngjarjet ekstreme të motit, zbuloi se katër ditët e para, kur stuhia Boris nisi të përfshinte pjesën qendrore të Europës sollën rrebeshe të fuqishme të cilat nuk ishin regjistruar për një periudhë të gjatë kohore.
Këto përmbytje shkaktuan dëme të konsiderueshme me humbje miliarda euro. Sipas shkencëtarëve tanimë ka ardhur koha që qeveritë të veprojnë pa humbur kohë për të ndaluar ngrohjen globale. “Përsëri, këto përmbytje nxjerrin në pah rezultatet shkatërruese të ngrohjes së shkaktuar nga karburantet fosile”, tha në një deklaratë Joyce Kimutai, një studiuese në Institutin Grantham të Imperial College në Londër dhe bashkëautore e studimit.
Stuhi të tilla si Boris në të ardhmen mund të bëhen edhe më të shpeshta duke shkaktuar përmbytje më të rënda që do të dëmtojnë ekonominë. Sipas raportit stuhi të tilla do të sjellin në të paktën 5% më shumë shi dhe do të ndodhin rreth 50% më shpesh nëse ngrohja nga nivelet para-industriale arrin 2 C, gjë që pritet të ndodhë në vitet 2050.
Klan News