“Za Fest”, ka hapur edicionin e tij të 8-të në Shkodër në natën e parë të mbajtur në oborrin e Muzeut të Shkodrës. Mbrëmja ka nisur me muzikë shkodrane të ndërthurur me atë nga Gjakova, e përcjellë nga grupi “Don’t Listen to Your Neighbours”.
Dom Gjergj Meta ishte një nga të ftuarit e kësaj mbrëmje e cila u përvijua me shfaqjen e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucët veshur” të Gentian Koçit.
Për organizatorin e “Za Fest”, ky event i kthyer në traditë tashmë në Shkodër, synon jo vetëm të tregojë vlerat e Shkodrës, por të kthejë këtë qytet në kryeqendër të festimeve.
Vlashent Sata, organizator “Za Fest”: Ne synojmë vetëm që të ndihmojmë një shoqëri që të bëhet më e ndërgjegjshme, më e lirë, më e bukur, që ta ndjejë veten të prezantuar, me një pozicion të barabartë me të gjitha kulturat e tjera. Duke njohur veten, duke vlerësuar kulturën tonë, vlerat tona ne nuk kemi komplekse, përkundrazi jemi të lirë që të ftojmë edhe kulturat e tjera që të na bashkohen në këtë festival dhe së bashku të krijojmë një komunitet që është bashkëveprues dhe përgjithësues.
“Za Fest” do të vijojë në datat 19 dhe 20 Korrik në kalanë “Rozafa” me disa artistë të ftuar si pjesë e këtij edicioni.
Klan News