Sot është dita e parë që ka nisur shpërndarja e aboneve falas për pensionistët në Tiranë. Gazetarja Ermelinda Hoxhaj ishte në një prej pikave ku bëhej shpërndarja e aboneve, ku nuk mungonin radhët e gjata.
“Ishte një premtim i dhënë nga Bashkia e Tiranës, është marrë vendimi në Këshill Bashkiak dhe të gjithë të moshuarit që kanë bërë regjistrimin pranë Gjendjes Civile, janë pajisur me një letër që janë banorë të asaj lagjeje dhe në 5 pika mund të tërheqin abonenë e tyre. Por problemi qëndron se janë vetëm 5 pika, numri i pensionistëve është shumë i lartë dhe ata kanë mbi 2 orë e gjysmë që presin në radhë për të marrë abonenë”, raportoi gazetarja.
Pensionistët kërkojnë që aboneja të jetë për një periudhë 1- vjeçare dhe të mos e tërheqin çdo muaj duke qëndruar në radha të gjata. Sipas tyre duhej një zgjidhje tjetër më optimale që mos të prisnin në radhë.
“1 orë kemi [në radhë]. Jemi regjistruar në Gjendjen Civile, pse nuk na e dhanë atje. Pse duhet të mbajmë radhë atje, radhë këtu. Tashi duhet me ndenjur 3 orë, nuk e marrim dot. Ne e dinim për 1 vit, për 1 muaj na thanë atje pastaj. Çdo muaj me ndenjt këtu nga 3-4 orë është e tmerrshme, ne jemi me diabet, me tension, të gjithë të këqijat i kemi. Kjo është shumë pozitive, por të na e kishin dhënë për 1 vit ose një afat të pacaktuar. Ne nuk rinohemi, plakemi më tepër, nesër mund të vdesim”, u shpreh një prej tyre.
“70 mijë e kam pensionin. S’i dalim fare, na mbajnë kalamajtë janë në emigrim. Kam 2 orë pres për abonenë. Popullata është e regjistruar, nëpërmjet regjistrimit të Gjendjes civile ata duhet të punojnë. Ta jepnin aty, i kanë të evidentuar, nuk kanë nevojë”, tha një tjetër.
Procedura për abonenë është e tillë që regjistrimi në Gjendjen Civile është 1-vjetor, ndërsa tërheqja duhet të bëhet çdo muaj./tvklan.al