12 emigrantët mbërritën pasdites e shtunës në Bari të Italisë duke lënë përfundimisht qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Shqipërisë. Njëri pas tjetrit, me bagazhet e tyre nëpër duar, 12 emigrantët që u akomoduan për 3 ditë në Gjadër hipën në anijen Guardia Costiera, për t’u akomoduar në qendrën e pritjes së azilkërkuesve në Bari të Italisë.

Nisja e 7 shtetasve nga Bangladeshi dhe 5 egjiptianëve u bë rreth orës 09:30 të kësaj të shtune drejt portit të Barit, në zbatim të një vendimi të shpallur të premten nga Gjykata e Romës. Seksioni për emigracionin që nuk aprovoi mbajtjen e tyre në qendrën e Gjadrit dhe as dëbimin e tyre në vendet e origjinës edhe pse kërkesat e tyre për azil u rrëzuan.

Ky vendim i drejtësisë italiane, sipas shpjegimit të gjykatës është mbështetur në një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhënë në 4 tetor të këtij viti për një shtetas moldav të dëbuar nga Republika Çeke.

Vendimi i gjykatës së Romës nuk ka lidhje në thelbin e vet me marrëveshjen e lidhur mes dy qeverive. Sipas këtij arsyetimit të vendimit kthimi i tyre në Itali duhet të bëhet për arsye të pamundësisë për të konsideruar vendet e tyre të origjinës, në këtë rast Bangladeshin dhe Egjiptin, si vende tërësisht të sigurta.

Grupi i parë i emigrantëve mbërriti mëngjesin se së mërkurës në bazë të marrëveshjes Rama-Meloni të nëntorit të vitit të kaluar. Nga 16 prej tyre, 4 u kthyen mbrapsht po atë ditë për shkak se 2 u konsideruan të mitur ndërsa 2 të tjerë kishin probleme shëndetësore. 

Tv Klan