Komisioni i Gjyqësorit i Senatit Amerikan hapi seancën katër-ditore të konfirmimit për kandidaten e emëruar nga Presidenti Donald Trump për anëtare të Gjykatës së Lartë Amy Coney Barrett.

Republikanët po përpiqen që procesi të përfundojë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit përballë kundërshtimeve të forta të demokratëve.

Seanca dëgjimore për gjyqtaren konservatore Barrett, e cila do të zëvendësonte anëtaren e ndjerë të Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg, filloi me deklaratat hapëse të senatorëve.

Deklarata e hapjes e zonjës Barrett vjen pas fjalës së 22 anëtarëve të komisionit.

Për shkak të shqetësimeve për pandeminë, jo të gjithë senatorët marrin pjesë personalisht në debat.

Zonja Barrett u ul në një tryezë përballë senatorëve dhe mbante maskë në fytyrë. Edhe fëmijët e kandidates mbanin maska dhe qëndronin ulur prapa saj.

Senatorja demokrate Kamala Harris, që është edhe kandidate demokrate për nënpresidente është ndër ata që marrin pjesë nga distanca.

Krerët republikanë të Senatit hodhën poshtë kërkesat e demokratëve për ta shtyrë seancën me shkakun se dy anëtarë të Komisionit të Gjyqësorit si dhe vetë Presidenti Trump rezultuan pozitivë për koronavirusin në ditët pas aktivitetit të 26 shtatorit në Shtëpinë së Bardhë, ku presidenti shpalli zonjën Barrett si kandidaten e tij.

Seanca dëgjimore është hapi më i rëndësishëm para një votimi përfundimtar nga ana e Senatit të plotë në fund të tetorit.

Zonja Barrett, 48 vjeç, u deklaroi senatorëve se si gjyqtare ajo përpiqet të “arrijë rezultatin e kërkuar nga ligji”, pavarësisht nga preferencat e saj personale.

Konfirmimi i saj i mundshëm do të krijonte një shumicë konservatore 6-3 në Gjykatën e Lartë, gjë që mund të çojë në vendime të cilat mund të ndikojnë te çështja e Ligjit të Kujdesit Shëndetësor të Presidentit Obama, e drejta e abortit si dhe mund të zgjerojnë liritë fetare dhe të drejtën e armëmbajtjes.

Republikanët kanë një shumicë 53-47 në Senat, prandaj konfirmimi i zonjës Barret duket pothuajse i sigurt.

Zonja Barrett do të përballet me pyetje nga senatorët të martën dhe të mërkurën në seanca të gjata që pritet të vazhdojnë gjithë ditën. Seancat dëgjimore janë planifikuar të përfundojnë të enjten./VOA