Brenda gjysmës së parë të këtij viti në gjirin e Vlorës pritet të fillojë puna për ndërtimin e një porti kontejnerësh, më i madhi në Mesdheun Lindor.

Muajin e kaluar qeveria i hapi rrugën dhënies së këtij koncesioni. Përfaqësues të kompanisë anglo-zvicerane që do të ndërtojë këtë port kërkojnë nga qeveria të përshpejtojë projektin.

Kevin Paja: “Financimet tona janë të sigurta dhe ne presim vetëm që të përshpejtohen procedurat për marrjen e këtij koncesioni në Shqipëri. Ky projekt do të devijojë rrugët detare të transportit të kontejnerëve, të cilat do të përqendrohen në Vlorë. Do të jetë porti më i madh në Mesdheun Lindor. Vetëm me startimin e projektit të fillimit të punimeve do të punësohen 2 mijë njerëz. Shuma e investimit në total arrin në shifrën e 1.2 miliard eurove afërsisht, por në fazën e parë do të jetë tek 530 milion euro”.

Për këshilltaren e kryeministrit për ekonominë investime të tilla janë tregues i shndërrimit të Shqipërisë në një vend gjithmonë e më shumë tërheqës për kapitalin e huaj.

Sipas Guxhollit porte të tjera pritet të ngrihen edhe në Durrës dhe Shëngjin. Porti i Vlorës, i cili do të ketë një kapacitet prej 3 mijë kontejnerësh në vit, është vetëm një pjesë e projektit të kompanisë, Zumax.

Në plan është ngritja e një zone të lirë në një hapësirë prej 850 hektarësh në zonën e Triportit, fare pranë Petroliferës dhe për këtë qeveria do të aplikojë standardet më të mira evropiane duke iu referuar modelit letonez.

Suzana Guxholli: “Projekti është shumë madhor. Përfshin miliarda euro. Po punohet për përgatitjen dhe të vendimit të qeverisë në lidhje me zonën e lirë apo magazinën doganore. Dmth që biznese të cilat sjellin, magazinojnë mallrat në këtë zonë apo dhe prodhojnë, iu jepen lehtësira nga pikëpamja e taksave dhe disa pagesave.”

Faza e parë e punimeve për portin dhe zonën e lirë pritet që të zgjasë 20 muaj. Në një fazë të mëvonshme krahas dy projekteve është në plan edhe ngritja e një aeroporti tërësisht në ujë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro