Gjykata Kushtetuese nisi seancën e shqyrtimit të kërkesës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit për deklarimin e pasurisë, kërkesë që konsiston në shfuqizimin e nenit 34 të këtij ligji. Seanca është ndjekur nga një transmetim video. Në të ka pasur debat nga forcat politike, por dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Këshilltari ligjor i Komitetit të Helsinkit Jaho ka përsëritur se nuk duhet t’i referohemi ligjit për të drejtën e informimit, por atij për mbrojtjen e të dhënave personale. Për të ligji sjell telashe dhe prek privatësinë.
“ Ju jeni i mendimit që midis kodit të familjes dhe ligjit për deklarimin e pasurive ka një kontradiktë në lidhje me pasurinë vetjake të bashkëshortit.”
“Kontradiktës me të gjitha.”
“Urdhëro!”
“ Me të gjitha, e me kodin e familjes, e me të tjera.”
“Megjithatë, ju thoni që ligji, kodi i familjes ka humbur fuqinë mbas ligjit për deklarimin e pasurive. Atëhere pse lind nevoja që ky problem të zgjidhet nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese?”
“ Nuk them të zgjidhet. Ne themi të zgjidhet në kuptim të nenit 34. A duhet dhe këto të publikohen në të njëjtën mënyrë me ligjin mbi informacionin apo jo, kaq. Ne përmendim shumë ligje dhe shumë nene, po epiqendra jonë shtrihet tek akti. Ky ligj, them unë, që i referohet nenit 34, ky është antikushtetues.”
Më shumë se 100 organizata joqeveritare kanë dalë në mbrojtje të ligjit dhe kanë vlerësuar qëndrimin e Helsinkit si të padrejtë. Koalicioni antikorrupsion, si një nga hartuesit e këtij ligji, do të shqyrtojë largimin e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit nga ky koalicion, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendim brenda një muaji rreth kërkesës së paraqitur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. /tvklan.al