Dy persona tentuan të vidhnin bankomatin e një banke të nivelit të dytë, tentativë e cila dështoi falë ndërhyrjes së policisë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Bulqizë, pas së cilës qëndronin 31-vjeçar E.A. dhe 35-vjeçari F.L., të dy banues në këtë qytet dhe të dy të dënuar më parë për vjedhje.
Në një njoftim për mediat, policia sqaron se këta dy persona
“në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në orët e para të mëngjesit të datës 26.01.2019, të maskuar dhe me sende të forta, tentuan të vjedhin bankomatin e filialit të një banke të nivelit të dytë në “Lagjen e Re””.
Kjo është hera e katërt që prej fillimit të këtij viti që në shënjestër të grabitësve vihen bankomatet e bankave. Sapo kishte nisur muaji Janar, një bankomat u grabit me tritol në Urën Vajgurore. Autorët u larguan me rreth 5 milionë lekë. Në dy raste të tjera të ndodhura po gjatë këtij muaji, në Kamëz dhe Vorë tentativat e autorëve dështuan, për shkak të rënies së alarmit.
/tvklan.al