Republika demokratike e Kongos çlirohet nga virusi Ebola. Kanë kaluar 40 ditë nga infektimi i fundit njëkohësisht edhe shërimi i plotë i pacientes së fundit dhe Kinshasa deklaron zyrtarisht tashmë fitoren mbi epideminë e 11 të Ebolës.

OBSH gjithashtu bën të ditur lajmin e shumëpritur, dhe falenderon punën e palodhur të të gjithë punonjësve shëndetësorë, të cilët kanë arritur të vaksinojnë 40 mijë persona me risk të lartë e duke arritur, nëpërmjet një sistemi inovativ, të mbajnë dozat e vaksinës në temperatura më të ulëta se -80 gradë, edhe në vende ku nuk ka patur as elektricitet.

Teknologjia e përdorur për ta ruajtur vaksinën në parametrat e duhur të ruajtjes do të jetë në dispozicion dhe do të përdoret edhe për vaksinën anti-Covid. Sipas kreut të OBSH për Afrikën, nuk ka qenë e lehtë të përballohen të dy viruset në të njëjtën kohë, në një vend ku kushtet janë ekstremisht të vështira, por kjo vërteton rëndësinë e investimit në organizmin për përballimin e emergjencave dhe në zhvillimin e kapaciteteve lokale.

Epidemia e Ebolës ka shkaktuar 2200 viktima në Republikën demokratike të Kongos, ku vetëm gjatë vitit të fundit janë konfirmuar 119 raste, me 55 viktima e 75 të shëruar.

Që prej vitit 1976, në afërsi të lumit Ebola kur u zbulua për herë të parë, janë regjistruar në vendin afrikan 11 vatra infeksionesh. Ky virus është vdekjeprurës për njeriun, pasi shkakton në organizëm temperaturë më të lartë se 38.8, diarre, dhimbje, hemorragji.  

Klan Plus