Pas përmirësimit të situatës në zonën e Nënshkodrës, puna e Shtabit të Emergjencës dhe autoriteteve lokale është përqendruar në shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet dhe dezinfektimin e zonës. Ekipet mjekësore kanë nisur me klorifikimin e ujit, për të vijuar më pas me planin e ministrisë së Shëndetësisë për asgjësimin e shpendëve të ngordhura dhe higjenezimin e plotë të zonës.

Maxhit Cungu: “Tani kemi kaluar në një fazë që popullsia ka nevojë dhe për materiale të tjera si siç janë veshje, batanije, veshje të ndryshme për të përballuar dhe të ftohtin dhe po ashtu ndërmarrjet e ujësjellësit janë duke bërë klorinimin e rregullt të ujit dhe sipas udhëzimeve që ka dhënë edhe drejtoria e Shëndetit Publik në bazë të planit të përgatitur nga ministria e shëndetësisë do thoja vazhdon puna normalisht sipas të gjithë procedurave të përgatitur në këtë plan.”

Uji është tërhequr tashmë nga gjysma e territorit të pushtuar pak ditë më parë. 5500  hektarë janë ende nën praninë e ujit, ndërsa  rreth 1800 banorë presin kthimin në banesat e çliruara nga uji.

Banorja 1: “Vetëm jetoj këtu me këto kushte që na i ka dhënë shteti. Unë kam hallin se shtëpia është qelb krejt, unë me shku sot në shtëpi dhe deri për një muaj nuk e kthej do si më parë se është mbyt çdo gjë.”

Banorja 2: “Në konvikt është mirë, është mirë, me të gjitha, por në shtëpi jemi keq, në shtëpi nuk kemi ku të shkojmë.”

Blerta Gjini: “Problemi që më së shumti i preokupon këto familje është mënyra se si do dalin prej kësaj situate kuptohet. Ndërsa këtu kanë gjet ngrohje, kanë gjetur mikpritje, kanë gjet kushtet më të mira të mundshme.”

Me normalizimin e situatës pritet të nisë edhe puna për vlerësimin e dëmeve dhe kompensimin e plotë të banorëve të prekur. Siç ishte dhe paralajmëruar shkolla e Velipojës dhe katër shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës kanë nisur rregullisht mësimin./tvklan.al