Thellohen dasitë mes demokratëve për sa i përket rikandidimit të Joe Biden për një mandat të dytë presidencial.
Sipas një anketimi të publikuar nga Qendra për Studime Publike dhe agjencia e lajmeve Associated Press, gati 2/3 e demokratëve në rang vendi mendojnë se presidenti Biden duhet të tërhiqet nga gara dhe ta lejojë partinë e tij të përzgjedhë një kandidat tjetër.
Zërave të demokratëve që kërkojnë largimin e Biden nga gara iu është bashkuar edhe ish-presidenti Barack Obama, i cili mësohet se u ka shprehur demokratëve privatisht shqetësimin në lidhje me rikandidimin e Joe Biden.
Por edhe pse Obama ka dëgjuar shqetësimet e demokratëve, ai ka këmbëngulur se vendimin për të mbetur në garë i takon vetëm Bidenit.
Po kështu, edhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelosi e ka paralajmëruar privatisht Biden, se demokratët rrezikojnë të mos e rimarrin kontrollin e kësaj dhome të Kongresit, nëse ai nuk largohet nga gara.
Të shqetësuar rreth aftësisë së presidentit Joe Biden për të fituar zgjedhjet këtë Nëntor, demokratët po e nxisin atë të rishqyrtojë çështjen e kandidimit, ndërsa ai po qëndron larg fushatës, për shkak të infektimit me COVID-19.
Tv Klan