Jemi krenarë që për pjesëmarrjen tuaj, Mirësevini në NATO, me këto fjalë presidenti amerikan Barack Obama, ka përshëndetur hyrjen e Shqipërisë dhe të Kroacisë në aleancë e Atlantikut te Veriut. Presidenti amerikan vlerësoi reformat e mëdha që ka bërë vendi dhe qeveria shqiptare. Po ashtu edhe sekretari i përgjithshëm Scheffer i uroi mirëseardhjen Shqipërisë dhe Kroacisë.

Barack Obama: “Mirësevini në NATO! Jemi shumë të kënaqur për pjesëmarrjen tuaj në këtë aleancë transatlantike 60 vjeçare. Kjo është përmasa e vitalitetit tonë në anëtarësimin e vendeve të reja. Është e rëndësishme për të theksuar se Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë shumë gjëra të mëdha e domethënëse në emër të Aleancës. Me 140 trupat e Shqipërisë dhe 296 trupat kroate që kanë shërbyer në Afganistan. Kjo tregon për mënyrën se si do të jeni kontribuues të fortë në këtë aleancë. Të dy vendet, kontributet tuaja në këto përpjekje të përbashkëta të NATO-s, tregojnë se na keni prioritetin tuaj dhe jemi shumë mirënjohës për këtë. Jemi gjithashtu krenar që ju kemi Aleat. Urime për progresin dhe reformat e kryera që ju sollën në këtë pikë. Të dy vendet kanë arritur shumë. Vazhdimi në këtë rrugë do ju sjellë më afër në rrugën e integrimit Euro Atlantik”.

Jaap de Hoop Scheffer: “Të shënojmë kështu zyrtarisht anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. President Topi dhe Mesic, Kryeministri Berisha dhe Sanader anëtarësimi i vendeve tuaja në Aleancë  është një rezultat i një pune disa vjeçare e të vështirë, gjatë të cilave keni treguar përkushtimin për të përfunduar reformat e domosdoshme. Shqipëri dhe Kroaci ju e keni merituar më së miri vendin tuaj në këtë tryezë dhe jeni të mirëpritur mes nesh”.

Me një shtrëngim duarsh finalizohet gjithçka. Zyrtarizohen dy vendet e reja anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia, dy fuqi të reja të cilat do të japin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në Aleancë. Një kontribut i vlerësuar edhe nga presidenti Obama.

Në mbyllje të mirëseardhjes së dy vendeve të reja anëtare në fund të fjalimit të tij, presidenti amerikan tha se dyert e NATO-s janë të hapura për të gjitha vendet që kërkojnë anëtarësimin duke dhënë shpresën për futjen sa më të shpejt të Maqedonisë./tvklan.al