Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar vaksinën e parë kundër lisë së majmunit.
Ky vendim pritet të përmirësojë shumë aksesin ndaj vaksinës në rajonet që përballen me shpërthime të kësaj sëmundje, veçanërisht në Afrikë, duke ndihmuar përpjekjet për të reduktuar transmetimin dhe kontrollin e përhapjes së sëmundjes.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi nevojën për të rritur prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave për të siguruar akses të barabartë për ata që janë më në rrezik.
Vaksina merret në dy doza, me një distancë kohore prej katër javësh, për të rriturit e moshës 18 vjeç e lart. Të dhënat aktuale tregojnë se vaksina është 76 për qind efektive pas një doze të vetme dhe 82 për qind efektive pas dy dozave.
OBSH ka theksuar nevojën për mbledhjen e vazhdueshme të të dhënave mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës.
Numri i përgjithshëm i rasteve me linë e majmunit në Afrikë është rritur në 26,543, duke përfshirë 5,732 raste të konfirmuara dhe 724 vdekje.
Të dhënat nga agjencia e specializuar e kujdesit shëndetësor në Afrikë tregojnë se rastet u raportuan nga 15 vende afrikane në të pesë rajonet e kontinentit, me një shkallë vdekjeje prej 2.73 për qind.
Fëmijët nën 15 vjeç përbëjnë 41 përqind të të gjitha rasteve të konfirmuara me linë e majmunit në kontinentin afrikan deri më tani.
Me përhapjen e shpejtë të virusit, vendet në kontinente të tjera, duke përfshirë Pakistanin, Singaporin dhe Tajlandën në Azi, kanë shtrënguar kontrollet për udhëtarët e huaj për të ndaluar përhapjen e kësaj sëmundje.
Shumica e pacientëve me linë e majmunit kanë vetëm temperaturë, dhimbje trupi, të dridhura dhe lodhje.Të prekurit më rëndë mund të kenë skuqje ose enjtje në fytyrë dhe duar, që mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit. Shumica e njerëzve shërohen në një periudhë nga dy deri në katër javë pa pasur nevojë të shtrohen në spital. Lia e majmunit mund të jetë vdekjeprurëse për disa të prekur dhe mendohet se është më e rëndë tek fëmijët.
Klan News