Pas ndarjes nga jeta të shokut të tyre, grupi One Direction ka reaguar në një deklaratë të përbashkët.

Jemi plotësisht të shkatërruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të Liam. Me kohën, dhe kur të gjithë të mundemi, do të ketë më shumë për të thënë. Tani, do të marrim kohë për të vajtuar dhe procesuar humbjen e vëllait tonë, që e donim shumë. Kujtimet që kishim me të do t’i ruajmë përgjithnjë. Tani,  mendimet tona janë me familjen e tij, miqtë dhe fansat që e donin ashtu si ne. Do të na mungojë shumë. Të duam Liam”, Louis, Zayn, Niall dhe Harry.

Pas kësaj deklarate të përbashkët, djemtë kanë publikuar edhe dedikime personale.

Louis Tomlinson tha se Payne ishhte një “tekstshkrues i mrekullueshëm me një ndjesi të jashtëzakonshme melodie” dhe “pjesa më thelbësore e One Direction”.

Përvoja e tij që prej një moshe të vogël, ritmi i përkryer, prezenca në skenë, aftësia për të shkruar. Lista vazhdon. Faleminderit që na formësove, Liam. Dua që ta dish se nëse Bear do të ketë nevojë, unë do të jem xhaxhai që atij i duhet në jetë dhe do t’i tregoj sa i mrekullueshëm ishte i ati. Do të doja të kisha një mundësi të të thosha  lamtumirë dhe të të thosha edhe njëherë sa shumë të doja”, thuhet në postimin e ndjerë.

Payne ka një djalë 7-vjeçar me këngëtaren Cheryl.

Zayn Malik ka ndarë gjithashtu disa foto me Liam.

“Liam, e gjej veten duke folur me ty me zë të lartë, duke shpresuar se mund të më dëgjosh dhe thjesht  mendoj në mënyrë krejt egoiste se kishte shumë biseda që ne të bënim. S’të falenderova kurrë që më mbështete në disa prej kohërave më të vështira të jetës sime. Kur mua më merrte mali për shtëpinë si një 17-vjeçar, ti ishte aty me sjelljen pozitive dhe buzëqeshjen plot siguri  që më tregonte se ishe miku im dhe se më doje”.

Malik thotë se edhe pse të dy “ziheshin” herë pas here, ai e “respektonte në fshehtësi” Payne për grindjet e tyre. “Humba një vëlla kur ti ike dhe s’mund të ta shpjegoj çfarë do të jepja thjesht që të të përqafoja për herë të fundit dhe të të thosha lamtumirë siç duhet. Do t’i ruaj të gjitha kujtimet e mia me ty përgjithmonë në zemrën time”.

Harry Styles iu bashkua dhimbjes duke shprehur përmes rreshtave:

“Jam i pikëlluar nga humbja e Liam. Lumturia e tij më e madhe ishte të lumturonte të tjerët dhe ishte nder të ishe krah tij teksa e bënte. Liam jetonte i hapur, me zemrën në dorë, kishte një energji për jetën që ishte ngjitëse. Ishte i ngrohtë, mbështetës dhe shumë i dashur. Vitet që kaluam bashkë do të mbeten mes më të çmuave të jetës sime. Do të më mungojë gjithmonë miku im i mirë. Zemra ime dhemb për Karen, Geoff, Nicola, Ruth, djalin e tij Bear dhe të gjithë ata në botë që e njihnin dhe e donin njësoj si unë”.

Niall Horan ishte i vetmi që arriti të takohej me Liam para pak javësh. Payne ndoqi koncertin e tij, i shoqëruar nga e dashura e tij, Cassidy.

“Jam tërësisht i hidhëruar për largimin nga jeta të shokut tim të mrekullueshëm, Liam. Nuk më duket e vërtetë. Liam kishte një energji për jetën dhe pasion për punën që ishte ngjitës. Ai ishte më i zgjuari dhe i bënte të tjerët të ndiheshin të lumtur dhe të qetë. Të gjitha të qeshurat përgjatë viteve, ndonjëherë për gjërat më të thjeshta, të vijnë në mendje duke përçarë trishtimin. Arritëm të jetojmë ëndrrat tona më të çmendura bashkë dhe do ta vlerësoj çdo moment që kishim.  Lidhja dhe miqësia jonë nuk ndodh shpesh përgjatë jetës. Ndihem kaq me fat që e takova së fundmi. Fatkeqësisht nuk e dija që pasi të ndaheshim dhe ta përqafoja atë mbrëmje, po i thosha lamtumirë përgjithmonë. Më thyen zemrën”, shkruan ai ndërsa i shpreh ngushëllimet familjarëve./tvklan.al