Një operacion anti-drogë është zhvilluar nga policia pasditen e sotme në lagjen “Don Bosko” të Tiranës.

Nga burime policore mësohet se efektivët i kanë kërkuar një automjeti që të ndalonte. Drejtuesi i mjetit nuk ju bind urdhrit të uniformave blu, duke tentuar të përplaste postbllokun.

Në një situatë të tillë policia u detyrua të qëllonte me armë, duke lënë të plagosur drejtuesin e mjetit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Nuk dihen rrethanat e sakta nëse efektivët qëlluan drejt shoferit të makinës apo ky i fundit u plagos nga plumbi rikoshet. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thonë për

tvklan.al

se operacioni ka ndodhur gjatë pasdites, por është mësuar vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Nga Policia e Tiranës nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar.

Të njëjtat burime sqaruan se gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit është gjetur një sasi droge, por nuk dihet pesha e saktë.

Nuk bëhen me dije të tjera informacione për shkak se operacioni është në zhvillim. 

/tvklan.al