Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, i ftuar në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu ka sqaruar përpara një paneli gazetarësh se presidenca çeke e Bashkimit Europian pret aplikimin Shqipërisë për tu integruar në familjen europiane. Ministri Basha tha, se deklaratë e bëri ditë më parë nga homologu i tij çek Schwarzenberg, nuk ka të bëjë me një ndryshim pozicioni, por me problemet ekonomike që kanë mbërthyer BE-në.

Lulzim Basha:Në raport me çështjen e aplikimit nuk kemi asnjë ndryshim pozicioni nga ai që është shprehur më përpara. Shqipëria do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë presidencës çeke. Pse është i rëndësishëm aplikimi i Shqipërisë në këtë moment, sepse Shqipëria ka përmbushur çdo detyrim në raport me Bashkimin Evropian nga ato që ka ndërmarrë sepse Shqipëria është sot i vetmi vend nga të gjithë vendet e Evropës juglindore që ka një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit të ratifikuar nga 27 parlamente.”

Për sa i përket procesit të liberalizmit të vizave ministri Basha tha se brenda 12 mujorit ët parë të mandatit të dytë të kësaj qeverisje shqiptarët do të lëvizin të lirë vetëm me pasaporta brenda zonës Shengen.

Lulzim Basha: Unë besoj se 6 mujori i parë i mandatit tonë të dytë do të jetë momenti për vendimin politik dhe besoj se brenda 12 mujorit të parë të mandatit tonë të dytë shqiptarët do të lëvizin pa viza në zonën Shengen.”

Pjesë e komenteve dhe interesit të gazetarëve ishin dhe zhvillimet në Kosovë ku për herë të parë kreu i diplomacisë shqiptare tha se Shqipëria ka dërguar emisar të posaçëm nëpër botë për të lobuar pro njohjes së pavarësisë së shtetit të ri.

Lulzim Basha:Ne kemi sot një prezencë rrotative të të dërguarve tanë specialë, emisarëve tanë specialë, dy nga të cilët janë të nivelit të lartë dhe të tjerët janë të niveleve ambasador…”

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin një tjetër temë në të cilën u fokusua debati i mbrëmjes në Opinion, të cilat ministri Basha i cilësoi si të shkëlqyera duke parë edhe takimet e fundit të zhvilluara mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre në Bruksel e Uashington./tvklan.al

Gazetar: Edian Gjoni