Publikimi i këtyre fotove në rrjetet sociale dhe një letër e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari për ministrinë e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ku shprehej shqetësimi për trajtimin e papërshtatshëm ushqimor për ushtrinë e vendit ka shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se kjo që po ndodh me forcat e sigurisë së vendit është alarmante duke akuzuar qeverinë për paaftësi.

Anton Quni, deputet i LDK: Kjo situatë alarmante, e konfirmuar nga Komandanti Jashari në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtrinë tonë.

Ministria e Mbrojtjes e ka pranuar problemin, por thotë se shkak është bërë zvarritja e procedurave të lidhjes së kontratave të ushqimit. Për opozitën as kjo nuk qëndron. 

Anton Quni, deputet i LDK: Ushtarët tanë tani përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike dhe shërbimeve ushqimore të pasigurt.

Një reagim për këtë çështje ka bërë në rrjetet sociale edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj që thotë se “goditjet e Qeverisë Kurti kundër ushtrisë janë të qëllimshme dhe se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi penale”.

Tv Klan