Propozimi i grupeve të biznesit për ngritjen e një gjykate administrative do të garantojë afate më të shpejta si dhe pritet të lehtësojë të gjitha procedurat e një çështje që i nënshtrohet gjykimit.

Ka qenë vetë Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka bërë prezent në komisionin e ligjeve projektligjin e hartuar nga dikasteri që ai drejton në bashkëpunim me ekspertë francezë dhe gjermanë.

Enkelejd Alibeaj: “Janë krijuar lehtësitë maksimale që çdo individ, çdo biznes, i cili pretendon se është cenuar në praktikat e administratës të ketë lehtësinë më të madhe për t’iu drejtuar gjykatës. Zvarritjet e gjykimeve të mos ndodhin më. Tashmë me këtë projektligj pretendohet në mënyrë të suksesshme, besoj, që gjykimet administrative të mbarojnë në një kohë shumë të shkurtër. Të vendoset përfundimisht barazia e palëve në proces, barazia e individit me shtetin”.

Më herët në komisionin e ligjeve opozita ka kërkuar shtyrjen e propozimeve të mbërritura në kuvend nga Ministria e Drejtësisë me argumentin se relatori i LSI-së, Spartak Braho, i ngarkuar për këtë projektligj ndodhej i ngujuar në grevën e urisë brenda në sallën e kuvendit.

Pandeli Majko: “Jeni, s’jeni dakord ju që dikush të jetë në grevë urie ai është kolegu jonë i respektuar. Jemi, s’jemi dakord ne me çfarë bëjnë kolegët tanë, por unë vetë personalisht nuk mund të pranoj që në mungesë të relatorit dhe për më tepër kur njoh arsyen që ai është në grevë urie unë të vazhdoj diskutimin për këtë projektligj sikur s’ka ndodhur asnjë gjë. Kështu që unë zoti kryetar refuzoj të jem i pranishëm në mungesë të relatorit. Mendoj që kjo është një çështje e rëndësishme procedurale, pastaj është dhe morale.”

Ilir Rusmali: “Zoti Braho pengohet sot të jetë prezent në këtë mbledhje për shkak të një force madhore, për shkak të një vendimi të tij, ekstremisht të respektueshëm. Ne e respektojmë shumë për këtë gjë. Unë kam folur sot siç thashë me zotin Braho dhe ai më ka autorizuar që ta bëj këtë gjë”.

Më pas mazhoranca ka vijuar me projektligjin për gjykatën administrative pa praninë e opozitës në komision, e cila braktisi mbledhjen e paradites./tvklan.al