Teksa opozita ka kërkuar dorëheqjen e saj, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka folur nga foltorja e Kuvendit për skandalin në spitalin Onkologjik. Ajo ritheksoi se ‘bluzat e bardha’ që janë akuzuar për abuzim në ushtrimin e detyrës do marrin përpos ndëshkimit ligjor, edhe atë moral e administrativ.
“Kam detyrën morale për të cekur sërish çështjen tonë të famshme të Onkologjikut. Padyshim që abuzimi i rëndë që ata kanë luajtur me jetën e të sëmurëve duke kaluar çdo lloj norme, ka vetëm një përgjigjie: ndëshkimin ligjor, administrativ e moral. Do mbajnë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit. Për të sanksionuar me ligjn të gjithë ata mjekë, ata që nuk mund t’i quaj më as profesionistë, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës do kërkojmë ndryushime në ligj, do u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrë në rast se bëjnë sjellje amorale. Kam lexuar qëndrime nga ato kritiket….”
(Ndërhyn opozita. Godasin tavolinat…)
Ministrja theksoi se për shkak të këtij rasti abuziv, nuk mund të përbalten të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor.
Albana Koçiu: Kam lexuar e dëgjuar çdo qëndrim, çdo zë. Nuk mund të përbaltet çdokush që e vazhdon punën me vendosmëri e profesionalizëm të lartë, që janë shembuj të ekipeve mjekësore. Shumëkush nga ne ka një eksperiencë të mirëfilltë sa i përket kujdesit shëndetësor në shëndetin publik. Ne vlerësojmë ndershmërinë, abuzuesit do marrin në çdo kohë ndëshkimin e merituar. Do i listojmë në Kuvend ndryshimet në ligjin për Urdhrin e Mjekut.
Tejet i ashpër ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili bërtiste nga vendi “Turp, turp!” Këtij të fundit, Koçiu i kërkoi ta shohë çështjen nga ana juridike, pasi dikur ka qenë Ministër Drejtësie.
“Zoti Bardhi, ke qenë dhe ministër Drejtësie. E di si funksionon shteti, më dëgjo… Flasim çdo ditë për autonominë spitalore dhe për të drejta të mjekëve, prandaj ka procedura administrative. Ju jeni jurist, e dini shumë mirë procedurën Të nderuarë deputetë, i nderuar zoti Shehu. Jam këtu për t’ju përgjigjur shqetësimeve që keni, por uroj që shëndeti riprodhues i grave e vajzave shqiptare të mos përmendet për motive politike. Po përpiqeni të krijoni një debat shterpë të ngritur mbi informacione të pavërteta”, tha Koçiu në sallën e Kuvendit./tvklan.al