Ora e shkatërrimit që parashikon se sa pranë zhdukjes është njerëzimi, këtë vit është ndalur me 89 sekonda në mesnatë.
Vitin e shkuar,ora e njohur si “Doomsday Clock” u ndal në 90 sekonda ku si arsye për këtë ishin konfliktet luftarake në Ukrainë, Izrael, Gaza dhe tensioneve mes Kinës e Tajvanit.
Rizgjedhja e disa figurave kontroversiale këtë vit mund të ketë ndikuar në rezultat pasi Donald Trump, Vladimir Putin, Narendra Modi dhe Nicolas Maduro janë rikthyer në detyrë.
Vitet e fundit, ndryshimet klimatike kanë qenë shkaktare në lëvizjen përpara të akrepave e sidomos me zjarret katastrofike në Kaliforni dhe stuhive të fuqishme që kanë lënë mijëra njerëz pa shtëpi.
Këtë vit, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë cilësoi përshkallëzimin nuklear, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet biologjike si virusi Covid dhe gripi Avian si arsye kryesore. Në deklaratë u përfshinë edhe teknologjia e Inteligjencës Artificiale, përhapja e keqinformimit dhe teorive konspirative si faktorë kryesorë që ndikojnë ndryshimin.
“Me vendosjen e orës një sekondë më afër mesnatës, ne dërgojmë një sinjal të qartë: duke qenë se bota është tashmë shumë pranë rënies, lëvizja e një sekonde të vetme duhet të merret si tregues i rrezikut ekstrem dhe një paralajmërimi të pagabueshëm se çdo sekondë vonesë në kthimin pas rrit probabilitetin e katastrofës botërore”, deklaroi Juan Manuel Santos.
Vitin që lamë pas, Rachel Bronson, presidente dhe CEO e Buletinit tha për Metro: “Çdo vit ne bëjmë dy pyetje. Është njerëzimi më i sigurt apo në rrezik më të madh këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar? Dhe është njerëzimi më i sigurt apo në rrezik më të madh krahasuar me 75 vitet e shkuara?”
Disa vite, akrepat nuk lëvizin duke treguar se situata botërore ka mbetur e njëjta.
Në vitin 2020, ajo u vendos në 100 sekonda në mesnatë dhe mbeti e tillë për 3 vitet që pasuan.
Në vitin 1991, akrepat lëvizën pas sepse mbaroi Lufta e Ftohtë dhe SHBA e Rusia firmosën Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike./tvklan.al