Përfaqësues të OSBE-së dhe KQZ kanë diskutuar sot sa i takon procesit zgjedhor të vitit të ardhshëm. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se qëllimi i këtij takimi është adresimi i problemeve që lidhen me administrimin e zgjedhjeve në vend.


“Të hapim diskutime në lidhje me çështje të cilat KQZ i pavarur ose i palidhur me ndryshime të mundshme që Kuvendi mund t’i bëjë Kodit Zgjedhor, mund t’i adresojë. Ka mjaft problematika të cilat KQZ do duhet t’i adresojë me qëllim që për sa i takon këtij institucioni të përmirësojë në mënyrë cilësore gjithë procesin e admnistrimit të zgjedhjeve. Jemi pak a shumë të gjithë dëshmitarë okularë të problemeve të ndryshme. Kemi menduar që është e udhës një diskutim”, u shpreh Celibashi.

Ndërsa Michel Tarran, kryetari i prezencës së OSBE në Tiranë u bëri thirrje aktorëve politikë që ta realizojnë Reformën Zgjedhore.

“T’u lejojnë organeve të administrimit kohë për procesin. Vonesat e mundshme kufizojnë kohën e KQZ-së për të bërë përgatitjet e nevojshme, çka mund të ndikojë te cilësia e procesit zgjedhor.”

Një sfidë e pazgjidhur sipas Tarran është vota e diasporës.

“Nuk është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke përfshirë çështjen e votimit nga jashtë vendit. Secili shtet duhet të zbatojë atë model që i përshtatet me mirë sipas kontekstit. Çdo vendim duhet të jetë prej konsensusit të të gjithëve. Ky konsensus duhet të bazohet në bashkëpunim dhe një qasje e tillë do të çonte në votimin nga jashtë vendit. OSBE është e angazhuar për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve dhe proceset zgjedhore. Kur ka vullnet ka edhe zgjidhje!”, përfundoi ambasadori.

Edhe pse është premtuar për zgjedhjet e 2025-ës, vota e emigrantëve s’ka njohur ende konsensusin e partive politike. Jo më larg se dje, mazhoranca depozitoi e vetme në Kuvend propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këto propozime, reflektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku nënvizohet vota e diasporës.

Teksa ende nuk ka një datë zyrtare për zgjedhjet, sipas ligjit KQZ duhet të përgatisë listën e zgjedhësve jashtë Shqipërisë 100 ditë para. E në rast se për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk japin “Ok” opozitarët, emigrantët nuk do shprehin dot vullnetin e tyre me votë.

E.D/tvklan.al