ERE shpall tarifat e reja për biznesin dhe konsumatorët javën e ardhshme
Edhe për vitin 2020 kompania OSHEE do të kërkojë çmim të njëjtë të energjisë elektrike për konsumatorin fundor dhe biznesin.
Javën e ardhshme Enti Rregullator i Energjisë Elektrike do të shpallë tarifat e reja për tre kompanitë e këtij tregut, Operatorin e Shpërndarjes, të Transmetimit dhe kompaninë e prodhimit të energjisë KESH.
E vetmja që ka kërkuar rritje të tarifës është OST, ndërsa kompania e shpërndarjes nuk ka dorëzuar ende aplikimin për çmimin e ri pranë Entit Rregullator.
Burime zyrtare nga OSHEE thonë për televizionin Klan se aplikimi për çmimin e energjisë do të dërgohet brenda kësaj jave, por ndryshe nga rastet e tjera kërkesa do të shkojë nga dy kompani të ndara të OSHEE-së, ndërmarrjes teknike dhe asaj tregtare.
Shumatorja e këtyre dy çmimeve do të bëjnë tarifën finale për konsumatorin.
Burimet konfirmuan se edhe përgjatë vitit 2020 OSHEE nuk do të kërkojë ndryshim të çmimit, por ai do të mbetet 9.5 lekë për kilovat orë për abonentët familjarë dhe 11 lekë për kilovat orë për bizneset.
Ky nuk ka qënë një vit i lehtë për kompaninë e shpërndarjes, pasi rënia e prodhimit të energjisë në vend detyroi atë që të shpenzojë 170 milion euro për importe, për sigurimin e të cilave shkurtoi një pjesë të investimeve në rrjet.
Tv Klan