Abuzimi me faturat e energjisë elektrike do të jetë objekt hetimi nga prokuroria. Organi i akuzës ka nisur procedimin penal pas kallëzimit të bërë nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili pasoj ankesat e mijërave qytetarëve për keqfaturimin e energjisë pas rritjes së çmimit të saj në janar të këtij viti.

Sipas kreut të ZMK-së, Altin Goxhaj, fillimi i hetimeve bazohet në një dokument që ERE i ka dërguar OSSH-s kur ka pasur përllogaritje të gabuara në faturimin e energjisë.

OSSH i pranoi abuzimet me faturat dhe premtoi dëmshpërblim, por për prokurorinë kjo është një vepër penale e konsumuar përmes mashtrimit kompjuterik në faturat e konsumatorëve.

Altin Goxhaj: “Unë ju referova si avokat i konsumatorëve pikërisht momentit të një dokumenti që ne e kapmë  në atë kohë. Ishte dokumenti që vetë ERE i paraqiti OSSH-së, ku e akuzonte që kishte bërë një faturim të çmimit të energjisë elektrike në faturat e muajit dhjetor me çmimet e janarit, dhe pasi u zbulua fakti që kjo kishte ndodhur OSSH-ja u detyrua ta pranonte këtë që kishte bërë. Për miliarda e miliarda lekë që abuzohen ndaj konsumatorëve shqiptarë, nga drejtuesit e kompanisë CEZ, pikërisht sepse ata kanë kryer një vjedhje me anë të mashtrimit dhe një vjedhje me anë të mashtrimit kompjuterik”.

Me mijëra ankesa janë depozituar pranë OSSH-së për keqfaturimin gjatë dhjetorit. Faturat e këtij muaji janë llogaritur më çmimin e rritur, ndonëse rritja ka hyrë në fuqi në muajin Janar.

Vetë ERE shprehu të enjte pakënaqësi dhe vërejtje për punën e OSSH-së, ndërsa shifrat zyrtare të INSTAT-it për vitin 2009 të publikuara të mërkurën, flasin për një keqmenaxhim të OSSH-së nga çekët e CEZ.

Sipas INSTAT-it humbjet në rrjet për vitin e kaluar arrijnë në 1/3 e energjisë së disponueshme për përdorim, çka u faturohet qytetarëve./tvklan.al

Gazetar: Julian Kasapi