Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, organizuan Panairin “Art, Zeje, Sport”, me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në ditën më të veçantë për fëmijët Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte bashkë me ta për të festuar dhe për të parë nga afër punimet kreative të nxënësve që u promovuan në këtë panair.

“Jam shumë e kënaqur që sot jam mes jush në një organizim fantastik të një panairi i cili transmeton të gjitha traditat, kulturat dhe artin përmes punimeve të fëmijëve,” tha Ministrja Manastirliu.

Ajo theksoi rëndësinë e Programit Kombëtar “Art, Zeje, Sport”, i cili ka bërë të mundur nxitjen dhe promovimin e kreativitetit në shkolla.

“Programi kombëtar “Art dhe Zeje” është një prej programeve që lindi dy vote më parë dhe që ka bërë të mundur që në 200 shkolla në të gjithë vendin nga veriu në jug ne të mundemi që të stimulojmë dhe promovojmë kreativitetin e fëmijëve. Të mundemi që të transmetojmë kulturën dhe traditën shqiptare”, tha Manastirliu.

Programi ka angazhuar mbi 700 mësues në 200 shkolla deri tani dhe synimi është që të shtrihet në të gjithë shkollat në vend.

“Unë jam e bindur se shumë prej jush përmes programit “Art dhe Zeje” kanë zbuluar talente që i kanë pasur të fshehura dhe shumë mësues dinë se ku mund të mbjellin akoma më shumë aftësitë dhe njohuritë në mënyrë që talentet që ne sot kemi në shkollat tona të mundemi që t’i rrisim, t’i ndjekim dhe t’i promovojmë edhe në të ardhmen. Ndaj dhe këtë program “Art dhe Zeje”, ne kemi vendosur që ta shtrijmë edhe në shkolla të tjera duke bërë të mundur që vitin e ri shkollor ta shtrijmë edhe në 100 shkolla të tjera dhe të arrijmë që në vitet e ardhshme programin “Art dhe Zeje” si një program jashtë programit mësimor të angazhojë të gjithë nxënësit, në të gjithë vendin”, shtoi Ministrja Manastirliu.

Qëllimi i këtij programi është të inkurajojë mësimin e artit dhe punimeve artizanale përmes veprimtarive praktike, të nxisë aftësitë sipërmarrëse të nxënësve dhe të promovojë vlerat e komunitetit dhe trashëgimisë kulturore.

Gjatë zbatimit të programit janë organizuar panaire dhe evente artistike në shkolla, duke finalizuar angazhimin e pjesëmarrësve me këtë panair të madh që u mbajt në Tiranë me rastin e 1 Qershorit./tvklan.al