Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar hapjen e thirrjes së dytë për subvencionimin e 2000 familjeve për vendosjen e paneleve diellore.
Gjatë fjalës së saj, Balluku është shprehur se ky proces do të ndahet në 2 faza. Duke nisur nga dita e sotme, subjektet që dëshirojnë të ofrojnë instalimin dhe panelet diellore, mund të aplikojnë në faqen e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë.
Ndërsa, më 24 Shkurt nis faza e dytë, ku të gjitha abonentët që kanë dëshirë të pajisen me panelet diellore që subvencionohen 70%, mund të fillojnë aplikimin e tyre.
Belinda Balluku: Duke pasur parasysh suksesin e paketës së parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia e Efiçencës së Energjisë kanë vendosur që të lançojnë paketën e dytë me 2 mijë unite të tjera, që do të jenë të disponueshme për të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë që në banesën e tyre të vendosin panelet diellore për ngrohjen e ujit duke marrë parasysh se këto panele do të ulin faturën e tyre të energjisë mujore me të paktën 20%. Duke nisur nga data e sotme, 4 Shkurt, do të ndajmë këtë proces në 2 faza.
Duke nisur nga sot, të gjitha ato subjekte që dëshirojnë të ofrojnë shërbime, instalimin dhe panelet diellore për të gjithë familjarët që duan të aplikojnë, duhet të fillojnë të aplikojnë në faqen e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. Më pas nis faza e dytë, më 24 Shkurt, të gjithë abonenët familjarë që kanë dëshirë të pajisen me këto panele diellore që subvencionohen 70% nga fondet e krijuara, mund të fillojnë aplikimin e tyre duke pasur parasysh se janë të disponueshme 2 mijë unite për t’u përdorur në këtë paketë të dytë.
Për ne, është shumë e rëndësishme siguria energjetike. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme, strategji kombëtare. Kërkojmë të përfshijmë të gjithë qytetarët në këtë strategji, e cila do e çojë Shqipërinë në një të ardhme të sigurtë në energji dhe në energjinë e rinovueshme duke e kthyer vendin në një ekpsortues neto, ashtu siç kemi premtuar. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta aplikojnë sa më parë duke nisur nga faza 24 Shkurt.
/tvklan.al