Familja e Shkëlqimit në Farkë është nja nga 1981 familjet në të gjithë vendin që kanë të instaluara sot në banesat e tyre panelet diellore për ngrohjen e ujit, të subvencionuara në masën 70% nga buxheti i shtetit.
“Fatura është gati 50% më pak.”
Teksa vizitoi nga afër një prej familjeve që përfitoi nga thirrja e parë, Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku bëri të ditur lajmin se nga ky 4 Shkurt është hapur thirrja e dytë për mbështetjen e 2000 familjeve për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit.
“Ne do të ndajmë këtë proces me dy faza. Duke nisur nga sot të gjitha ato subjekte që dëshirojnë që të ofrojnë shërbime, instalimin dhe panelet diellore për të gjithë familjarët që do të aplikojnë, duhet të fillojnë të aplikojnë në faqen e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. Dhe më pas nis faza e dytë, në datë 24 Shkurt, të gjithë abonentët familjarë që kanë dëshirë që të pajisen me këto panele diellore, të cilat subvencionohen 70% nga fondet e krijuara nga Agjencia e Efiçencës së Energjisë mund të fillojnë aplikimin e tyre, duke pasur parasysh se janë të disponueshme 2000 unite për tu përdorur në këtë paketë të dytë.”
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se diversifikimi i burimeve të rinovueshme është strategji kombëtare të cilën Qeveria Shqiptare po e ndjek prej vitit 2019.
“Për ne është shumë e rëndësishmë siguria energjetike. Ajo çka ne kërkojmë është përfshirja e të gjithë qytetarëve në këtë strategji, e cila do ta çojë vendon tonë drejt një të ardhme të sigurtë në sektorin energjetik duke e kthyer Shqipërinë në një vend eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030.”
I gjithë procesi i kësaj thirrjeve është online në faqen e Agjencisë për Efiçencën e Energjisë.
Tv Klan