Mazhoranca ka shtyrë miratimin e projektligjit të propozuara për disa ndryshime për taksat vendore. Ministri i Financave Ridvan Bode, ka argumentuar se rritja e taksës vendore për pasurinë e paluajtshme që prek qytetarët dhe jo për infrastrukturën që prek bizneset janë të nevojshme pasi janë në nivele gati 20 herë më të ulëta krahasuar me rajonin.
Ridvan Bode: “Së pari rritet pesha e tarifave që duhet të paguajnë ndërtuesit ndaj komuniteteve lokale, së dyti taka e pronës e cila ka qenë në nivele simbolike, ka nevojë që të fillojë të konsolidohet si e tillë. Kjo edhe për ta bërë më të drejtë një taksë në raport me pasurinë që kanë akumuluar qytetarët.”
Diskutimet mbi këtë projektligj u shoqëruan me debate të forta në këtë seancë, opozita kundërshtoi atë dhe kërkoi që qeveria të mbështesë me më shumë fonde pushtetin lokal dhe jo të kërkojë taksa të tjera prej tij.
Arben Malaj: “Një ligj organik për decentralizimin ka parashikuar, që qeveria duhet të arrë përsipër studimet e plota dhe të bëjë ndarje të taksave kombëtare në proporcion me pushtetin vendor për t’u krijuar atyre burime të drejtpërdrejta dhe jo t’i lërë në mëshirë të grandeve konkurruese që në fakt janë grande korruptuese. Pushteti vendor gjatë kësaj periudhe ka ndjerë peshën e rëndë të 1,5 miliard lekë nga ulja e taksës në biznesin e vogël, e cila nuk u kompensua me asnjë politikë tjetër fiskale.”
Ridvan Bode: “Thoni, do të ndani tatimin e vlerës së shtuar, çfarë do të thoni ju kur 90% e vlerës së tatimit të vlerës së shtuar mblidhet në Tiranë dhe në Durrës. Çdo ndodhi me periferinë e Shqipërisë, nuk do të jetë ndarje të taksave. E vetmja taksë që nda dhe që kemi rënë dakord është ajo për të cilën ka sens dhe ka funksion pushteti lokal, taksa e qarkullimit rrugor.”
Projektligji do të rikthehet në diskutime në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, ku sipas ministrit Bode do të bëhen përpjekje për gjetjen e konsensusit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro
Operator: Enver Shehu