Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Lideri i opozitës Sali Berisha denoncoi në sallën e Kuvendit, atë çfarë ai e quajti vjedhje dhe çmenduri të kleptokratit. Duke iu referuar privatizimit të disa ambienteve në Pallatin e Kulturës. Berisha kërkoi që kryeministri Fatos Nano të raportonte urgjentisht në parlament.
Sali Berisha:- “Ishte diktatori më kruel i Europës, më gjakësor i Europës, por hir të së vërtetës, vilat nuk i regjistroi as në emrin e tij, as në emrin e Nexhmijes, as në emrin e djemve të tij. Kurse ky kleptokrat, do Pallatin e Kulturës ta regjistrojë në emrin e tij. Po ky është i çmendur mor zotëri, po si ka mundësi, po ju duhet të skuqeshit po të kishit gjak mor”.
Nikollë Lesi:- “Çështja e Pallatit të Kulturës është shumë e vërtetë, dokumentet do t’i botojmë dhe do t’i sjellim këtu, nuk jam dakord me zotin Berisha që të gjithë mazhoranca janë të përzierë në afera, ka shumë të ndershëm”.
Sali Berisha:- “Kategorikisht nuk i fusë siç mendoi zoti Lesi, të gjithë në një thes. Këtu janë 4-5 eksponentë”.
Socialistët e mbështetën denoncimin e Berishës, deputeti Braçe kërkoi që të hetohet mbi Pallatin e Kulturës, që nga koha e qeverisjes së opozitës, ku sipas tij, të gjitha ambientet duke përjashtuar vetëm TOB, iu dhanë një italiani me 1 dollar metri katror, por një gjë e tillë u kundërshtua nga kreu i Bashkimit Liberal Demokrat Laço, sipas të cilit, vendimi i qeverisë për dhënien me qira të sipërfaqeve të kinostudios, Piramidës, apo Pallatit të Kulturës ka dalë pas vitit ‘99.
Erion Braçe:- “Dhe jam shumë dakord që të rijetohet nga e para kjo çështje dhe do shikoni se çfarë xhevahiri ka nga viti ‘92 e deri më sot”.
Teodor Laço:- “Qiratë kanë qenë të liberalizuara dhe nuk jepej asnjë objekt me 1 dollarë metri katror”.
Në mbështetje të protestave të himarjotëve, deputeti i PBDNJ Ligoraq Karamelo, kërkoi interpelancë me ministrin e Energjetikës Viktor Doda.
Ligoraq Karamelo:- “Prandaj dua nga zoti Ministri i Energjetikës, një interpelancë urgjente për të dhënë sqarime për këtë situatë”.
Makbule Çeço:- “Shko ulu o zoti Karamelo, shko ulu”.
Interpelanca me debat për çështjen e Selenicës, kërkuar nga deputeti i opozitës Sokol Olldashi u shty. Drejtuesja e seancës parlamentare ka lutur deputetët më pas që të shqyrtojnë vetëm katër projektligje, mes të cilëve ai për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe për sigurimet shëndetësore./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj