Parlamenti miratoi kalendarin dyjavor të punimeve në seancën e pasdites. Deputeti Nikollë Lesi, me pretekstin për të diskutuar mbi rendin e ditës, lëshoi akuza mbi kryeministrin dhe bashkëshorten e tij Xhoana Nano.

Nikollë Lesi: “Nuk kam asnjë dridhje qerpiku nga kerkesa që sot është marrë në raportet 3 me 2, po nxjerr edhe sekretin e votimit, i cili do të shpallet të premten në orën 12:00, vetëm nëse lëviz dhe i gjej nga këto nga fundi i sallës, sepse do të jetë një votëbesim edhe për qeverinë Nano. Të garantoj që këtu, kur të vijë burri i asaj që më ka bërë padinë, do të shikosh një spektakël me dokumente, me kaseta dhe ti ke detyrimin si lideri i opozitës, bashkë me atë burrin e asaj, që të më lironi mua një monitor të madh që ta fillojmë nga site i internetit ‘www.xhoi travel.com’ ta shikoni të gjithë kush është e deri të dokumentet që unë kam. Nuk më dridhet fare qerpiku.”

Më pas seanca vijoji me interpelancën e ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacionit Spartak Poçi mbi investimet për rrugën e Kuksit dhe aksin e Laçit si dhe interpelanca e ministrit të Rendit Publik Toska kërkuar nga deputetët e opozitës mbi incidentin e Fierit ku, gjatë aksionit, oficeri i policisë i mori jetën një gruaje dhe çështja i ka kaluar organeve të drejtësisë, sipas ministrit. Deputetët kërkuan gjithashtu që shërbimi portual të jetë 24 orë, nisur nga pengesat e hasura nga emigrantët shqiptarë. Sipas ministrit, vendimi i qeverisë parashikon punën deri në orën 23:00, por në rast nevoje ky orar është tejkaluar. /tvklan.al