Ndryshimet e propozuara nga kryeministri Berisha, për në kabinetin qeveritar të përcjella në Kuvend përmes dekreteve të presidentit Topi, kanë marrë mbrëmë mbështetjen e mazhorancës në parlament.
Qëndrimi abstenues dhe në disa raste kundër, i demokristianëve gjatë votimit të hapur me elektronikë, nuk ka rrezikuar kompozimin e kabinetit qeveritar. Kështu ish-ministri i arsimit Genc Pollo do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit pasi arriti të marrë 78 vota pro emërimit në këtë detyrë, 47 kundër dhe 8 abstenime.
Ish-nënkryetari i Kuvendit Fatos Beja është emëruar në detyrën e ministrit të arsimit me 81 vota pro, 44 kundër dhe 6 abstenime. Ndërsa Anila Godo është emëruar ministri e Shëndetësisë me 79 vota pro, 35 kundër dhe 13 abstenime.
Gjatë seancës që ka shënuar dhe mbylljen e sesionit parlamentar është miratuar me 83 vota pro edhe kontrata koncesionare me kompaninë franceze Sazhem, për prodhimin e kartave të ID dhe pasaportave biometrike.
Shqyrtimi i kësaj kontrate është shoqëruar me debate të forta ku opozita është shprehur skeptike, për faktin se ministria e Brendshme nuk jep garanci që qytetarët të pajisen me karta ID dhe pasaporta biometrike. Ndërsa mazhoranca ka argumentuar nisjen e prodhimit dhe shpërndarjes së tyre në muajin janar./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama