Lajme Arkiva 2003

Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut vazhdon ti qëndrojë idesë së saj për rikompozim të qeverisë për një bazë më të gjerë.

Vangjel Dule: Ne jemi në koalicionin “Aleanca për shetin”, në vazhdimësi kemi pasur pretendimet tona në lidhje me ridmensionimin e politikave me rikompozimin e kabinetit dhe me zhdërvjelltësinë e aplikimit të këtyre politikave të cilat do të na sjellin një hap më afër realizimit të ëndrrës sonë evropiane.

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule nuk konfirmon ende qëndrimin që deputetët e kësaj force politike do të mbahen në parlament kur të votohen emrat e ministrave të rinj.

Kjo pasi në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë së PBDNJ-së ka patur qëndrime të ndryshme rreth qëndrimit që duhet të ruajnë në krah të Nanos, Berishës, apo abstenim.

Vangjel Dule: Patëm një debat mjaft të ashpër dhe me pikëpamje shpesh herë kontradiktore.

Gazetarja: Kjo do të thotë se ka një ndarje mes kryesisë së Partisë të të Drejtave të Njeriut duke pasur parasysh edhe aleancën që keni patur me Partinë Demokratike.

Vangjel Dule: Nuk është një ndarje për momentin, janë mendime të ndryshme, por që do të përpiqemi nëpërmjet debatit ti unifikojmë.

Debati i kryesisë së Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, ka mbetur i hapur për të diskutuar nesër në mënyrë që të pozicionohet lëkundja e tyre./tvklan.al