Lajme Arkiva 2003

Kryebashkiaku i Elbasanit Hysen Domi dhe njëkohësisht kandidati aktual i Partisë Socialiste për këtë bashki ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ka uruar rivalin e tij Ardian Turku për fitoren. Sipas Domit kjo ishte një fitore e ndershme dhe korrekte. Domi ka vlerësuar maksimalisht punën e stafit të tij në bashki, ndërsa nënkryetari i kësaj bashkie, Ilirjan Hoxha ka theksuar se në këto zgjedhje nuk humbi Hysen Domi, por Partia Socialiste.

Ndërsa kryetari i KQZV-së pohon se nga materialet e paraqitura nuk ka asnjë kundërshtim nga komisionerët.

kryetari i KQZV-së: Rezultatet paraprake të nxjerra nga KZQV-ja e Elbasanit janë për kandidatin e Partisë Demokratike, Ardian Turku 14.750. për Partinë Demokratike 11.054 vota, për kandidatin e Partisë Socialiste 10.756, për Partinë Socialiste 8.807. Por gjithmonë këto rezultate komisioni është duke i verifikuar. Të gjithë procesverbalet kanë ardhur pa kontestime. Nuk kanë asnjë shënim.

Sipas Komisionit Zgjedhor të qytetit të Gjirokastrës votimet në këtë qytet janë zhvilluar të qeta dhe pa probleme. Në bazë të numërimit të votave, Flamur Bime, kandidati socialist ka fituar 53% të votave, Ylli Asllani 36.8% ndërsa kandidati socialdemokrat 6% të votave.

Si subjekte Partia Socialiste ka marrë 48% të elektoratit  ndërsa ajo demokratike 24%. Pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 41%.

“Në Bashkinë e Gjirokastrës në të gjitha qendrat e votimit, është mbyllur procesi i votimit. Ne kemi marrë bazën materiale dhe sot do të merremi me nxjerrjen e rezultatit. Procesi zgjedhor ka ecur shumë normalisht. Nuk kemi pasur asnjë lloj problemi dhe paraprakisht mund të them se kandidati i Partisë Socialiste ka marrë rreth 53% të votave, kurse kandidati i Partisë Demokratike ka marrë rreth 36.8% të votave”.

Ndërsa në qytetin e Laçit, banorë , anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike kanë nisur festimin e fitores së kandidate demokrat ende pa dalë rezultati përfundimtar. Në të 4 njësitë vendore kanë fituar kandidatë të opozitës, kështu në Laç fitoi Luigj Isufi, në Mamurras Anton Frrokaj dhe në Milot Vlash Gega, ndërsa në komunën Fushë Kuqe, Dedë Keri. Tre kandidatët, Frrokaj, Keri e Deda kandidojnë për të dytën herë me siglën e Partisë Demokratike dhe kanë qenë drejtues të këtyre autoriteteve lokale.

Edhe në rrethin e Krujës procesi është zhvilluar mjaft i qetë pjesëmarrja është në masën 55-65%. Partia Socialiste ka fituar Bashkinë e Krujës ndërsa ajo Demokratike ka fituar bashkinë e Fushë Krujës. Ndërsa komuna e Bubqit është shënuar me një numër të konsiderueshëm parregullsish në procesin e votimit./tvklan.al