Partitë e vogla në të majtë dhe të djathtë mbështesin fort idenë e rifunksionimit të komisionit të posaçëm kuvendor për reformë elektorale. Një format ky që për të vegjlit e politikës vë në balancë atë që u cilësuan ndryshime absurde kushtetuese.
Nertian Ceka: “Në mënyrë absolute duhet që të kemi një format të njëjtë të komisionit për bashkëkryetarë të rinj.”
Petrit Vasili: “Është vendi dhe koha tu kujtuar që të gjithë gatuesve të këtyre lloj reformave që autorët janë tashmë të identifikuar edhe fati i tyre do të jetë si fati i atyre që në vitin ’96.”
Republikanët në të njëjtën linjë thonë se vonesat për kryerjen e reformës janë të qëllimshme.
Aleksandër Garuli: “Ne mendojmë që në këtë kod zgjedhor patjetër duhet të kemi një transparencë dhe kodin zgjedhor i cili do të përpilohet, duhet të bëhet me pjesëmarrjen efektive të të gjithë subjekteve politike parlamentare.”
Çështja e pragut zgjedhor duket se krijon kundërshtinë themelore. Rritja fiktive e tij në disa rajone sipas Vasilit do të krijonte një Dushk të ri.
Petrit Vasili: “Ne kërkojmë që të ketë një prag të barabartë të njohur për të gjithë. Qoftë ky dhe rajonal, por ama të gjithë rajonet dhe votat e shqiptarëve të vihen në raport të barabartë.”
Nertian Ceka: “Ose pastaj duhet që zonat zgjedhore të bëhen në mënyrë të balancuar, pra që të kenë numër të barabartë deputetësh për të gjithë vendin.”
Pas miratimit të sistemit të ri zgjedhor priten ndryshime në kod. Partitë e vogla po shtojnë presionet duke theksuar se procesi po vonon. Por deri tani asgjë nuk mund të thuhet me siguri se kur do të fillohet nga puna, përveç së ndonjë eksperti partiak se gjithçka do të përfundojë brenda verës./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi