Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur ditën e sotme në orën 10:00 në ambientet e SPAK pas vendimit të Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj pranë OPGJ-së.
Kryedemokrati është pritur nga mbështetës të shumtë të cilët e kanë pritur me ovacione të shumta, të tilla si: O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do! Poshtë diktatura!
Berisha është shprehur se do të japë një prononcim për mediat pas paraqitjes së tij në Prokurorinë e Posaçme. Paralelisht, demokratët kanë zhvilluar një protestë paqësore para Prokurorisë së Posaçme.
I pranishëm në këtë protestë ishte edhe Flamur Noka, i cili tha se do të shprehin revoltë ndaj një vendimi politik.
Flamur Noka: Kjo është një protestë solidaritet me të drejtën, me ligjin dhe kushtetutën. Është një protestë për të shprehur revoltën ndaj një vendimi politik, protestë ndaj SKAP-it të partisë, një organizatë kriminale. Ka vendosur si synim luftën kundër opozitës dhe si synim të dytë për të mbuluar të gjithë aferat e mazhorancës. Opozita do të protestojë përballë kësaj organizate kriminale. Kjo protestë do të zhvillohet pa reshtur.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të muajit. Pavarësisht se kryedemokrati është paraqitur në SPAK, vendimin e dhënë nga Apeli i GJKKO-së e konsideron antikushtetues e politik dhe shprehet se do e dërgojë në Strasburg./tvklan.al