Lajme Arkiva 2003

Pas dy herë votimesh Këshilli Bashkiak i Durrësit ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij. Edmond Agolli, kandidati i Partisë Socialiste, mori 23 vota kundrejt 22 votave që morri Met Dervishi kandidati i Partisë Demokratike. Kjo mbledhje shënoi edhe ditën e parë të punës për Lefter Kokën kryetarin e ri të bashkisë së Durrësit.

Në këtë mënyrë konsituimi i organeve të sapo zgjedhura të pushtetit vendor në Durrës hasi në disa probleme. Herën e parë asnjë prej dy kandidatëve nuk morri numrin e duhur të votave, për tu zgjedhur në postin e kryetarit të këshillit bashkiak. Secili nga kandidatët morën nga 22 vota ndërkohë që 1 anëtar kishte abstenuar.

Kjo e bëri të domosdoshme një votim tjetër. Këshilli bashkiak i Durrësit ka 45 anëtarë, prej të cilëve 20 vende i takojnë Partisë Socialiste, 18 vende janë të Partisë Demokratike dhe dy të Partisë Demokrate të re. Ndërsa Partia Demokracia Sociale, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane, Partia e Aleancës Demokratike dhe Partia e Punës kanë secila nga një vend.

Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak të Durrësit për shkak të moshës më të vjetër e hapi Muho Asllani këshilltari i Partisë së Punës. Pavarësisht nga aleancat, fakti që vota është e fshehtë ka bërë që dikush të shpreh mendimin e tij ndryshe nga ai i forcës politike që përfaqëson.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe anëtarë të kabinetit qeveritar të deputetëve të qytetit të Durrësit./tvklan.al