Sali Berisha: “Fale o zot se nuk di ç’bën.”

Këtë postulat biblik kryeministri Berisha ia adresoi kryetarit të opozitës, Edi Rama, në lidhje me qëndrimin e tij mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Dhe duke iu rikthyer komenteve mbi zhvillimet e asamblesë socialiste e cila miratoi rezolutën Rama për mosnjohjen e zgjedhjeve, por duke shënuar një precedent të ri, pasi nuk lejoi prezencën e medias, kreu i qeverisë tha se mbledhja i saj e riktheu partinë më të madhe në opozitë në plenumet e Partisë se Punës.

Sali Berisha: “Ajo që ndodhi dje, për shumë të rinj këtu që kanë fatin e madh e të mirë që të mos të kenë përjetuar një ditë këtë diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës me të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informativ, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t’u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte. Terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai  ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës dhe pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenium i Komitetit Qendror, edhe më zi zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish-Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin. Tani më lejoni këtu, në emrin tuaj, t’i deklaroj zotit Rama se ne respektojmë plotësisht Partinë Socialiste dhe çdo forcë tjetër politike, si një pasuri të madhe të pluralizmit të vendit. Por disa rregulla dhe standarde janë të detyrueshme. Ne nuk merremi se kush vjen e kush rri, nuk merrmi se i mbaroj mandati, iu pre mandati apo s’iu pre mandati, ato janë probleme të statutit të tyre. Por me transparencën dhe me disa standarde,merremi se nuk mundesh që ta përdorësh ti lirinë për të zhytur në errësirë një forum të tërë, nuk mundesh ti të vesh mure komunikimi me publikun. Megjithatë, meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit, le t’ia falim edhe kësaj here, se nuk di se ç’bën.”

Këto komente kryeministri i bëri në Lezhë pas inaugurimit të rrugës Tale- Bregdet.

Ky segment ka një gjatësi prej 10 kilometrash dhe konsiderohet si mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone bregdetare.

Duke folur mbi investimet në infrastrukturën rrugore, shefi i ekzekutivit premtoi se brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.

Sali Berisha: “Në këtë mënyrë, ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. Pas disa ditësh do të inaugurojmë Mamurras-Patok dhe nga Velipoja, deri në Ksamil, absolutisht brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë të paasfaltuar që të çon drejt detit.”

Kryeministri tha gjithashtu se së shpejti do të inaugurohet unaza në qytetin e Laçit, do të nisë rikonstruksioni i tribunës së stadiumit të këtij qyteti, do të inaugurohet rruga e Patokut si dhe dy lotet e para të rrugës se Arbrit, duke i kthyer kështu në realitet premtimet e bëra në fushatën elektorale.

Sali Berisha: “Do inaugurojmë rrugën e Arbrit, dy lote që zbresin deri në Klos dhe vitin që vjen krahas kësaj rrugës së madhe do bëjmë çmos që të shpejtohen punimet për rrugën tjetër. Shqipëria të marrë peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë pozicioni gjeografik, portet e saj duhet të jenë portet më të rëndësishme.”

Kryeministri tha se zotimi më i madh i qeverisë së tij në katër vitet e  ardhshme do të jetë furnizimi më ujë 24 ore, si dhe vaditja e tokave, një tjetër projekt që sipas kryeministrit do të behet realitet brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë që të gjithë fermerët shqiptar të jenë të barabartë me ata evropiane. tvklan.al