Policia shqiptare ka bërë progres të dukshëm në sigurimin e kufijve, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha këtë deklaratë e bëri gjatë analizës të progres-raportit të projektit të misionit Pameka.
Lulzim Basha: “Një realizim të dukshëm të objektivave të periudhës raportuese kemi gjithashtu ne edhe në fushën e asistencës për policinë e kufirit dhe emigracionit për të zbatuar strategjinë dhe planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve. Aktivitetet lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit brenda Policisë së Shtetit siç i shohim ne në progres-raport kanë qenë të shtrira në disa fusha.”
Me herët ministri Basha ka prezantuar drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajn duke theksuar se policia do të vazhdojë të veprojë e paanshme ndaj krimit.
Lulzim Basha: “Policia e shtetit arriti rezultate shumë të mira në luftën kundër krimit në vend. Ndërtoi dhe forcoi marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar dhe organizatat simotra në vendet e rajonit dhe të BE-së. U bë një nga faktorët vendimtar për pranimin e Shqipërisë në NATO si dhe pararojë e realizimit të detyrimeve për liberalizimin e vizave që të gjithë shpresojmë të realizojmë së shpejti. Policia e shtetit do të vazhdojë sypatembur dhe e njëanshme si një shpatë e mprehur dhe e gatshme mbi kokën e krimit dhe një mburojë e vendosur e lirive dhe e të drejtave të qytetarëve të republikës. Në këtë mision sikundër deri sot ju keni mbështetjen e vendosur dhe të gjithanshme të qeverisë dhe të shtetit. Zoti e bekoftë Policinë e Shtetit dhe punonjësit e saj.”
Burgaj ka drejtuar në karrierën e tij drejtoritë e policisë së Gjirokastrës dhe Kukësit. Prej 29 korrikut të vitit 2008 ka kryer detyrën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të Policisë se Shtetit për shërbimet mbështetëse./tvklan.al
Gazetare: Andeuna Llabani