Austria mbështet Shqipërinë për liberalizimin e vizave dhe rrugën e saj për integrim në BE. Konfirmimi u bë gjatë një takimi që pati në Vjenë ministri i Brendshëm Basha me homologen e tij austriake Maria Fekter.

Maria Fekter: “Shqipëria ka bërë përparime në plotësimin e kushteve për heqjen e vizave. Ekipet e ekspertëve janë të bindur dhe kanë vlerësuar suksesin e vendit tuaj lidhur me sigurinë e dokumenteve, konkretisht në procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Unë jam e bindur se ky sukses i arritur do të vlerësohet dhe shqiptarët do të lëvizin shumë shpejt pa viza”.

Lulzim Basha: “Unë jam i bindur se puna që ne kemi bërë dhe që do të verifikohet nga ekspertët në muajin shkurt, do të rezultojë në një vlerësim pozitiv të Komisionit Evropian. Ajo që kam kërkuar në mënyrë të veçantë është që menjëherë pas paraqitjes së opinion pozitiv nga komisioni, Këshilli i Ministrave ta shqyrtojë atë pa humbur kohë dhe Ministrja e Brendshme e Austrisë më siguroi për mbështetjen e plotë të saj dhe të Austrisë, mbështetje e cila ka qenë e gjithanshme në procesin e liberalizimit të vizave, siç është e gjithanshme në procesin e integrimit Evropian të vendit”.

Ministri Basha informoi homologen austriake Fekter edhe mbi instalimin dhe funksionimin në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Shqipëri, të një sistemi modern të unifikuar dhe të ndërlidhur me Qendrat Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Analizës së Informacionit Kriminal.

Gjatë takimit Basha dhe Fekter diskutuan edhe për bashkëpunim dy palesh në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri Basha ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së brendshme, si dhe një marrëveshje për ndihmën e ndërsjellët në raste katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha./tvklan.al