Një hap mbrapa në marrëdhëniet shqiptaro-greke, është cilësuar nga qarqet diplomatike dhe shtypi grek, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e marrëveshjes të kufirit detar me Greqinë. E sigurt është se verdikti i Kushtetueses ka krijuar pakënaqësi në Athinën zyrtare.

Në një reagim të parë radiofonik, ministri i jashtëm plotësues i Greqisë, Dimitris Drucas u shprehur se ky vendim është një zhvillim negativ që nuk e gëzon palën greke.

“Fundoset marrëveshja  me Shqipërinë”. Ky është titulli që gazeta Kathimerini i ka vendosur shkrimit të saj. E përditshmja greke thotë se shpallja e pavlefshme e marrëveshjes ka provokuar festë në qarqet nacionaliste në Tiranë, ndërsa socialistët e Edi Ramës të cilët morën përsipër fushatën sensibilizuese dhe e çuan çështjen në Gjykatë, ia faturojnë këtë zhvillim kryeministrit Berisha.

Po ashtu gazetat Ta Nea dhe To Vima dhe të tjera organe të shtypit të shkruar i mëshojnë faktit se anulimi i marrëveshjes është mbështetur nga disa deputetë të PS dhe kryetari i saj Edi Rama, të cilët  siç thonë këto të përditshme, e kanë përdorur një çështje kaq të rëndësishme për kredite të brendshme politike.

Gazeta Kathemerini, me prestigjioze në vend, citon burime sipas të cilave ekziston rreziku i krijimit të një klime negative që mund të ndikojë edhe në ratifikimin e marrëveshjes për dy varrezat greke në Këlcyrë të Përmetit dhe Bularat të Gjirokastrës.

Në një kthim të saj në kohë gazeta kujton se në kohën e marrëveshjes nuk ka patur asnjë kontestim nga opozita apo shoqëria shqiptare, kundërshtime sipas saj të frymëzuara me vonë nga interesa të brendshme politike dhe ato përtej Adriatikut.

Edhe gazeta Eleftherotipa i referohet reagimit të ministrit të jashtëm Drucas, sipas të cilit çështja ka të bëjë me zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe si e tillë, pala greke nuk ka alternativë tjetër veçse ta respektojë atë.

Pikëpyetjet sipas shtypit grek, bien mbi mënyrën sesi  do ta trajtojë Tirana zyrtare çështjen. Pavarësisht komenteve, të gjithë bien dakord në një pikë se një kthim mbrapa do të ishte i dëmshëm për dy vendet dhe qeveritë respektive./tvklan.al