Stuhia e të premtës që lamë pas, e cila preku të gjithë vendin me reshje shiu me intesitet të lartë, erëra të forta dhe në disa zona edhe dëborë, ka lënë pasojat e saja në disa zona, veçanërisht në qarkun Shkodër.
Një pjesë e zonave malore në kryeqendrën e Veriut vijojnë të jenë pa energji elektrike, siç janë fshatrat në Bashkinë e Vaut të Dejës dhe në Fushë-Arrëz. Në Shkodër vijon të jetë i bllokuar aksi rrugor Prekal-Kir për shkak të mbetjeve që ka lënë pas rrëshqitja e një masivi shkëmbor, ndërsa aksi Gjegjan-Shpal është 40% i bllokuar.
Ndërsa në Bashkinë e Pukës, është dëmtuar ura e fshatit Kabaash, madje edhe çatia e një banese. Jo më e lehtë ka qenë nata për zonat malore të Qarkut Korçë, e prekur nga reshjet e shiut dhe të dëborës në disa zona, por që fatmirësisht sot është zgjuar pa probleme në qarkullimin e mjeteve në rrugë.
Në aksin Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë dhe në atë të Boboshticës dhe Dardhës, për shkak të temperaturave të ulëta, u përdor kriposja pjesore e tyre, ndërsa vazhdon pastrimi i gurëve apo degëve të pemve që janë rrëzuar nga stuhia.
Ndërsa Durrësi, këtë mëngjes riktheu lundrimin dhe dy tragete të Barit u nisën në mëngjes, pas pezullimit të lundrimit ditën e kaluar. Sipas kapitenerisë së portit, kushtet e motit janë përmirësuar, me erën që ka ndryshuar drejtim në Veri-Veriperëndim dhe forcën e detit të reduktuar në 5-6 ballë.
Gjithashtu, gjatë së dielës pritet të jepet leja për daljen në det edhe për flotën e peshkimit, e cila ka qenë e bllokuar për pesë ditë si pasojë e motit të keq. Reshjet e shiut dhe dëborës këtë të shtunë ia kanë lënë vendin diellit, por sinoptikanët parashikojnë një ulje të ndjeshme të temperaturave që të dielën në disa zona do të arrijnë deri në minus 5 gradë.
Tv Klan