Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, akuzoi kreun e Partisë Socialiste Edi Rama se është vënë në krye të një fushate dizinformuese, mbi atë çka ndodhi gjatë procesit zgjedhor në Ruzhdie të Fierit.
Për këtë z.Patozi kujtoi largimin e tre komisionerëve socialistë nga qendra së bashku me vulën, gjë që i kushtoi sikundër tha Partisë Demokratike humbjen e një mandati.
Astrit Patozi: “Kolegji Zgjedhor pasi mori në shqyrtim rastin nuk vendosi përsëritjen e votimit në Ruzhdie, por i deklaroi të pavlefshme 425 votat e gjetura në kuti, që në fakt përbënin 90% të numrit të atyre që kishin votuar në atë fshat. Dhe siç është bërë e njohur tashmë ky vendim solli për pasojë humbjen e një mandati të Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit. Partia Demokratike, duke theksuar se simetria bipartizane në komisionet zgjedhore është kushti vendimtar për integritetin e procesit, ka mbështetur dhe mbështet organet gjyqësore edhe prokurorinë, në nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive për Ruzhdien dhe për çdo rast tjetër mbi bazën e fakteve dhe provave të paraqitura nga subjektet politike, apo Administrata Zgjedhore. Dhe në këtë këndvështrim parimor e ftojmë z.Rama që ashtu siç pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Ruzhdien nëpërmjet të cilit përfiton një mandat, të pranojë dhe respektojë çdo vendim tjetër të tij./tvklan.al