Ish – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi thotë se në kampin e djathtë ka filluar pastrimi edhe në radhët e aleatëve.

Sipas tij, pasi “u lanë hesapet” me armiqtë brenda partisë, tashmë po kërkohen kundërshtarë edhe te ata pak aleatë që kanë mbetur.

Sipas Patozit, askush nuk shqetësohet për 230 mijë votat e munguara apo për 14 mandate më pak se 4 vjet më parë, mjafton të mos prishet rregulli harmonik brenda kasolles, ku mund të qëndrojnë vetëm ata që mendojnë njësoj. 

*Më poshtë gjeni reagimin e plotë, marrë nga faqja zyrtare e Astrit Patozit në Facebook

Që të mos prishet harmonia e kasolles

Tani që mendoni se i keni larë hesapet me armikun e shtëpisë, dilni një herë shikoni edhe nga baçet e komshinjve. Se nuk mjaftojnë 230 mijë ushtarë, që munguan në apelin e 25 qershorit, por mbase ju duhen dëshmorë të tjerë, që duhet të bien ndoshta pak me vonesë për kauzën e madhe të “çadrës së lirisë”.

Le ta mësojnë edhe aleatët se çfarë i gjen nëse e prishin unitetin e çelniktë të asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike. Që të mos guxojnë më të cënojnë atmosferën festive, që ka përfshirë të madh e të vogël në Shqipëri, sidomos pas fitores plebishitare të 22 korrikut.

Ndajini edhe ata pak aleatë, që na kanë mbetur, në të mirë dhe të këqinj, në djaj apo ëngjëj, në ata që duhen dhe në të tjerë që nuk duhen, se nuk mjaftoka që edhe bashkë me ta jemi sot në parlament 14 mandate më pak se 4 vjet të shkuara. Tek e fundit, ata duhet të qartësohen një herë e përgjithmonë se tek kasollja jonë, që sa vjen e zvogëlohet, ka vend vetëm për ata që mendojnë njësoj. 

Të tjerët, që mund të kenë kokën e tyre, le të gjejnë strehë ku të duan. Janë të lirë të shkojnë në shtëpi të tjera, në vila apo grataçelë, po të duan, mjafton që të mos e prishin rregullin harmonik dhe harmoninë e rregullt të kasolles.

Dhe pasi të keni mbaruar punë me të gjithë, futjuni edhe një herë qilizmës brenda gardhit të partisë sonë, se mbase ju ka tepruar ndonjë armik, të cilin mund të mos e ketë kapur tamam vala e parë e luftës së klasave. Nga ulja e vigjilencës apo nga fshehja e kokës së gjarprit, kjo pak rëndësi ka. 

Le të kthehet kjo në një zakon të përhershëm apo në një ligj të pashkruar, njësoj siç ka mbetur që në çdo 4 vjet, më 22 korrik, Partia Demokratike ka pasur, ka dhe do të ketë votime për të zgjedhur Lulzim Bashën kryetar.

Nuk jua kam fare merakun që këtë mision do ta kryeni me sukses, sepse të tillë e keni edhe porosinë, edhe zellin.

Por një këshillë e kam edhe për ju: Bëjini një zë udhëheqësit që të kthehet në atdhe, megjithëse është kohë pushimesh, sepse ka ca gjëra në botë që nuk delegohen dot. Fjala vjen, mund t’ia lësh dikujt kopilin në derë, por për ta bërë atë, nuk ia lë dot dikujt tjetër. Sepse nuk mjafton të jetë vetëm kopil, por duhet të jetë edhe i yti.

Mbase i bën mirë kthimi dhe e kthjellon për të dalluar më mirë se cilat janë punët që i takojnë të bëjë opozitës, edhe sikur populli bashkë me qeverinë të shkojë i gjithi me pushime. Mbase e frymëzon puna dhe vepra juaj dhe e shtyn edhe më tej pastrimin e oborrit tonë dhe kopshteve të fqinjëve nga barërat e këqija. 

Por që të jeni brenda, në rast se ka këtë mendje, i thoni që të sjellë me vete edhe një tufë me kostume doku, nga ato që vishnin kinezët në vitet e Revolucionit Kulturor, që jo vetëm të mendoni njësoj, por edhe të mbatheni gjithashtu njësoj. Me të njëjtën uniformë si lideri suprem dhe i pagabueshëm.

/tvklan.al