Një ditë pas përfshirjes së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në koalicionin e majtë parazgjedhor.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Spiro Ksera, njëkohësisht dhe kryetari i OMONIA-s për Gjirokastrën ka deklaruar tërheqjen e tij nga lista e kandidatëve të PBDNJ-së për zgjedhjet e 28 Qershorit.
Ai e ka marrë këtë vendim pas një takimi me strukturat vendore të organizatës OMONIA në Dervician të Gjirokastrës, të cilat nuk janë pajtuar me vendimin e kryetarit, Vangjel Dule, për të ndërprerë bashkëpunimin me koalicionin e djathtë, të udhëhequr nga Partia Demokratike.
Spiro Ksera: “Të gjithë anëtarët e thjeshtë të OMONIA-s dhe strukturat vendore të OMONIA-s ishin të pakënaqura nga vendimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Unë do t’u sugjeroj këshillit të përgjithshëm drejtues të gjejë një tjetër kandidat për PBDNJ-shin dhe them se këtë gjë do ta marrin parasysh”.
Ksera tha se pas zgjedhjeve të 28 Qershorit Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të bëjë një analizë të thellë të orientimit të saj politik në forumet e saj më të larta.
Spiro Ksera: “Unë kam qenë nga mbështetësit kryesorë që ne kemi gjetur veten në koalicionin e djathtë. Kemi gjetur hapësirën e duhur. Këtë e kemi parë edhe në rajon me investime jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në investime me intelektualë, në shfajësimin e tyre në administratën shtetërore. Vendime politike të liderit të PBDNJ-së shpresoj që në datën 29 do e analizoje”.
Ndërkaq në një shkrim të sajin gazeta greke, Kathimerini, shkruan se kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka injoruar sugjerimet e zv/Ministrit të Jashtëm grek, Kasimis, për të vazhduar bashkëpunimin me koalicionin e djathtë qeverisës./tvklan.al