Gerti Bogdani: “Pas 36 ditë mashtrimesh dhe trillimesh mbi vdekjen e një njeriu, Edi Rama në vend që të kërkonte të falur publike për manipulimin në vdekjen e tij, duke i konsideruar shqiptarët si hunj të kuq, deklaroi se ai nuk ishte thënë ndonjëherë se Kosta Trebicka u vra. Kjo përbën një dëshmi tjetër amoralitetit absolut të zotit Rama. PD informon shqiptarët sa vijon, se Edi Rama nëpërmjet nënkryetarit të tij Erion Veliaj, e cili vodhi para mjaft e ndërtoi vilën e tij private. E më pas mori me vete edhe kompjuterin e financave për të fshehur gjurmët e tij, kur ishte i gjallë i ndjeri Trebicka i ofroi 500 mijë euro dhe vendin në listën e deputetit, nëse ai do të bënte dëshmi të rreme për interesat politike të ulëta dhe të fëlliqura të zotit Rama. I ndjeri Trebicka refuzoi me përbuzje dhe përçmim ofertat e ulëta të Ramës dhe nënkryetarit të tij. Por edhe pas vdekjes zoti Rama nuk iu nda përpjekjeve, për të shpërdoruar aksidentin e tij dhe jo vetëm deklaroi se me vrasjen e Trebickës u përdhuna Shqipëria, por zoti Rama mobilizoi të gjithë pseudoanalistët mercenar të tij, të gjithë mediat e kontrolluara prej tij dhe për javë të tëra ata shpifën dhe trilluan se Trebickën e vrau qeveria. Mbi këtë akt makabër të profanisë dhe përdhosjes së kodit më sublim të shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit, kodit të vdekjes, zoti Rama për qëllime karrieriste të ulëta hyri në mitingun famëkeq për të protestuar për vrasjen sipas tij të të ndjerit Trebicka. Zoti Rama edhe përfaqësuesve më të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, kur ata i kërkuan të ndryshonte qëndrim ndaj rastit Trebicka, e të mos përdorte aksidentin e një njeriu për qëllime politike, ai u zbuloi fytyrën e tij të vërtetë, ashtu sikur ç’kishte bërë dhe me të gjithë shqiptarët. Zbuloi synimin e tij për të përdorur këtë vdekje për qëllime të ulëta politike. PD sërish i kërkon zotit Rama t’u kërkojë të falur të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët ai u bëri thirrje për të marrë pjesë në mitingun famëkeq. T’u kërkoj të falur publike të gjithë atyre shqiptarëve të cilëve u përdhosi kodin e tyre më të shtrenjtë atë të mortit. Në rast të kundërt, ai fakton se karriera e tij politike me çdo çmim dhe mbi çdo gjë është qëllimi i vetëm i jetës së tij, të molepsura nga veset më të ulëta njerëzore. Por i rikujtojmë zotit Rama se e vërteta vonon, por nuk harron dhe po të mos ta përfillësh atë e vërteta të ndëshkon.”/tvklan.al