Partia Demokratike akuzon kryetarin e selisë roze Edi Rama, si autorin e artikujve të botuar në shtypin e shkruar, që sipas saj synojnë të manipulojnë opinion publik në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar për përcaktimin e kufirit ujor me Greqinë.

Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli sqaroi se gjithçka është trillim i  Ramës dhe për këtë tha ajo si ministria e Jashtme ashtu dhe ajo e Mbrojtjes kanë sqaruar të gjitha detajet e marrëveshjes të arritur mes dy vendeve.

Erla Mëhilli: “Për shkak të detyrës ndoqa mbrëmë monologun tmerrësisht monoton dhe të mërzitshëm të zotit Rama. Zoti Rama faktoi se është ai autori i artikujve të gazetave të tij për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit ujor me Greqinë. Pra njësoj siç bëri me orën e Bushit ai e përdori këtë gjë për të zhurmuar vizitën e suksesshme të Karamanlisit. Ai përsëriti në monologun e pas darkës të gjitha akuzat e formuluara çdo ditë në mediat e tij. Ai deklaroi se marrëveshja nuk është transparente se nuk dinte pikën bazë të matjes. Ndonëse dy herë nga autoritetet kompetente është shpjeguar qartë përpara mediave. Por meqenëse Rama ka sy, por nuk shikon në fund të kësaj konference do t’i dorëzojë një kopje të marrëveshjes që t’ia dërgoni në bashki dhe në PS.”

Këto deklarata të selisë blu vijnë pas sqarimit në media të ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes,  në lidhje me çdo detaj të përcaktuar në marrëveshjen dypalëshe.

Vetëm një ditë për marrë të dy dikasteret rihodhën poshtë pretendimet për ndryshim të kufijve detar, me argumentin se në bazë të konventës ndërkombëtare të OKB-së për të drejtën e detit është përdorur parimi i baraslargimit.

Elisa Spiropali: “I lutem Sali Berishës të mos abuzojë edhe me Erlën ashtu siç abuzoi me Gert Bogdanin e shkretë dhe të mos e verë në gojën e të rinjve baltën e politikës së vjetër. Të rinjtë demokrat nuk mund të detyrohen që për t’u marrë me politikë të bëjnë zëdhënësin e të vjetrës dhe të rinjtë shqiptar nuk mund të ushqehen me këtë baltë që prej 18 vjetësh Sali Berisha fut në çdo familje shqiptare vetëm për hir të pushtetit të tij personal.”/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro