Aldo Bumçi: “Jam sot para jush për të shprehur falënderimin dhe mirënjohjen në radhë të parë për qytetarët e Gërdecit, të cilët në dinjitet dhe qytetari, i dhanë përgjigjen e merituar përpjekjes së Edi Ramës për të manipuluar politikisht me shpirtrat e të dashurve të tyre dhe nuk lejuan që të organizohej mitingu i shpallur nga ai, dje në Gërdec. Partia Demokratike shpreh falënderimin dhe vlerësimin më të madh për qytetarët e Tiranës që refuzuan të merrnin pjesë në mitingun e Edi Ramës, mbasi ky miting nuk kishte të bënte me përkujtimin e viktimave të Gërdecit, po për të deformuar suksesin më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, anëtarësimin e plotë në NATO. Si dhe për të zhvilluar një betejë brenda të majtës shqiptare. Qytetarët e Tiranës me mospjesëmarrjen e tyre, i dhanë Edi Ramës njeriut të mitingjeve funebre politike leksionin që meritonte. I thanë atij se ti nuk ke moral të protestosh për Gërdecin, ndërkohë që me Delijorgjin dhe paratë e tij ke kaluar pushime të përsëritura në hotelet më luksoze të Evropës. Ndërkohë që me Delijorgjin të lidhin fitimet e 30 shesheve dhe lejeve të ndërtimit, ndërkohë që prej një viti nuk guxon të shqipërosh emrin e tij. Partia Demokratike garanton të gjithë qytetarët e Gërdecit se çdo problem i tyre sikundër deri më sot do të marri zgjidhje. Qytetarët e Gërdecit me qëndrimin e djeshëm kanë nderuar jo vetëm të dashurit e tyre, po mbarë shqiptarët, kurse ai që hapi fushatën elektorale duke manipuluar me shpirtrat e njerëzve si dhe me një cinizëm ekstrem nëpërmjet zëdhënësit e tij e shpalli ditën e djeshme, ditën e zisë si një ditë të madhe. Do të marri ndëshkimin e merituar nga vota e shqiptarëve./tvklan.al